Dy vite më parë, në këtë periudhë, e gjithë Shqipëria ishte përfshirë nga ethet për të mësuar se kush do të ishin 23 futbollistët pjesëmarrës në EURO 2016. Nesër mbushen dy vite nga dita kur De Biazi bëri publike listën e 23 emrave të cilët u kthye në “heronj” dhe idhuj për tifozerinë shqiptare. SI për ironi të fatit, nga ajo listë kanë mbijetuar në grupin aktual të përfaqësueses më pak se gjysma.

Aktualisht, në radhët e kombëtares shqiptare të futbollit janë të grumbulluar vetëm 10 nga 23 futbollistët që shkruan historinë dhe ata që janë lënë jashtë nuk janë të gjithë për arsye dëmtimesh siç mund të mendohet. Një pjesë e mirë e tyre janë për zgjedhje teknike dhe janë harruar nga ngjyrat kuqezi si Gashi e Kaçe, ndërsa ka emra si Cana e Shehi që e kanë mbyllur me kombëtaren apo edhe me futbollin.

Ajo që bie në sy është se 2 vite pas Euro 2016, Shqipëria do të zbresë në fushën e lojës duke pasur si tutullarë vetëm 5 nga ata që shkruan historinë me fanellën kuqezi.

Ndërkaq, 5 të tjerë do ta nisin nga stoli duke pritur rastin e tyre për të treguar vlerat që kanë dhe për të bindur Panuçin se ndoshta eksperienca që kanë siguruar në atë Europian mund ta ndihmojë kombëtaren kuqezi që nuk është se ka shkëlqyer në vitin e fundit.