Nga Kristo Mërtiri

-Na mbyti Polit(h)ika, miku im, na mbyti ! Hallet dhe dertet e njerëzve të thjeshtë kanë mbetur përtej Urës së Qabesë. Lumenj me vendime, raporte e fjalime. Lumenj me batuta e premtime. Lumenj e përrenj me akuza e kundërakuza, me dialogë e monologë dalëboje. Në sheshe e në media. Vërshime me metafora qesharake e ulërake, me pasione lëpirëse e pështymhedhëse. Në dukje, gati të gjithë “përgjërohen” e bilbilosin në emër të popullit. Në emër të fakirfukarenjve ! 3 dekada kështu. Pacipëria është bërë sa një mal, majtas e djathtas ! Dalin e hyjnë nëpër vilat vezulluese të metropolit dhe në periferi. Dhe gogësijnë përmes pasurive të pista, siguruar me “rrogat” e shtetit rrumpallë…E, ti më thua se përse flas me veten ?! Ja, dhjetë minuta më parë takova te Sheshi “Skënderbej” dy punonjës të Drejtësisë. I kisha njohur ca vite më parë. Njëri gjyqtar e tjetri prokuror. Ishin si në ethe dimri (të tillë u shfaqën) përballë procesit të Vettingut. Unë tani po dal në pension. Në apartamentin e kohës së Enverit e ngrysa. Punova jo pak edhe në dy kabinete ministrash. Mirëpo, fjala ngau fjalën, se ata po lëshonin dokrra dhe sapunë mbi gunë ! I pyeta drejtpërdrejt e pa halë në gjuhë : “-Kur isha atje lart në dikaster, unë merrja cdo muaj mbi dyfishin e rrogës tuaj…Si arritët të bëheni pronarë tokash e apartamentesh në kryeqytet e gjetkë ? Vallë, mos u ka pjellur gjë mushka ?! Sa “dhurata” e “borxhe” në cash keni marrë përpara se të kapnit ato kolltuqe drejtësie ?! (Këtë pyetje nuk po e dëgjojmë ende askund, as nga kupola e përzgjedhur e Vettingut me këlëpëra e këlëgjëra të majme si numur e si trajtim financiar; as nga të dërguarit e posacëm të ndërkombëtarëve dhe as nga institucione të varura e të “pavarura”…). I lashë në hallin e tyre, ashtu me fytyra të sapothartuara e si me mërmërima sharëse në buzë ! Dhe pyesja veten : në këtë qerrata shtet, ka vërtet Vettingarë, Inspektorë Pasurie, Prokurorë e Gjyqtarë apo një tabor me bilbil gjyzarë ?…

Irritimin acik e të ndershëm të mikut tim të vjetër, e dëgjuan edhe ca kalimtarë të zakonshëm te trotuari pranë Ministrisë së Energjetikës. Ngadalësonin hapat vetiu dhe kthenin kokën jo pa nota miratimi, proteste e zhgënjimi. Ndërsa mua më ngriu vështrimi te shkallët e asaj ministrie. Shkallë që qysh mbi një vit më parë, më shtojnë e më ndezin vazhdimisht drithërima shpirtërore e tejet njerëzore. Një pamje që nuk po më shqitet nga sytë e kujtesa, sot e gjithë ditën :

-48 kapele minatorësh të ngujuara si në heshtje mortore te kjo portë shtetërore e qeveritare ! Dhe kur ? Ditën e 1 Majit. Në Ditën e Punëtorisë botërore !…

48 minatorë që hedhin në erë dhjetra fjalime e daulle të fushatave elektorale. 48 kapele që nuk janë thjesht 48 “shuplaka” për politikanë, deputetë, ministra, zyrtarë e sipërmarrës privatë të panginjur me djersën e njerëzve të nëntokës në Bulqizë, Pogradec e gjetkë. Dhe ishte fjala vetëm për 5 vite. Sepse për 30 vite “pluralizëm” e “demokraci”, shifrat e jetëve të humbura nëpër miniera cajnë qiellin e tokën, por aspak zemrat e kupolës politike që ka drejtuar e drejton Shqipërizën tonë. Majtas e djathtas. Gati të njëjtët portrete të “vrerosur” e të telikosur për fatet dhe hallet e mëdha të mëmëdheut. Këmbejnë vetëm kolltuqet dhe ulluqet e korrupsionit, si në mazhorancë dhe në opozitë. Dhe i bien qemanes këmbë përmbi këmbë nga sallat mondane të metropolit. Të mbytur në luks e favore pa fund. Përvec ndonjë sindikate të përgjumur e të katandisur sa një grusht me thinja (ku krerët e tyre serbes-serbes e të pabesë, hajdutë me cizme e pa cizme, gjetën shesh e bënë përshesh), kush tjetër ka protestuar sinqerisht e larg megafonëve të ndryshkur partiakë ?…(Për të qeshur e për të qarë : Ditët e fundit, një Shoqatë Gjyqtarësh protestonte ububushëm me shkrim e me padi penale kundër Këshillit të Ministrave. C’kishte ngjarë e c’hall i madh u ka rënë në kokë ?,-pyeti me të drejtë njerëzia në qytet e në fshat. Dashkan me domosdo pasaporta shërbimi a diplomatike për veten dhe familjet e tyre ! O Zot, në cilin vend të botës ka bërë vaki kjo kërkesë padi-thagmë shqiptare ?! Të velurit me privilegje e barkplotët, nuk pyesin hic për mijëra barkboshë që sfiliten për të siguruar kafshatën e përditshme të fëmijëve. Kjo skotë e tjetërsuar të shet dëngla dhe petulla me ujë përpara peshoreve simbolike të Drejtësisë mbi tavolina, duke tundur e shkundur mantelet e zeza mbi supe. I quajnë privilegje “të merituara” nga shërbimet e sakrificat sublime për popullin. Njëlloj si kupola politike erërëndë. Apo shikon rrushi-rrushin dhe piqet ? Apo të rrimë urtë e të dëgjojmë avazin e atij llafit të mocëm : “Selanik e tatëpjetë, sic ka qenë do të jetë”?!…Të papunët dhe të uriturit i drejtohen edhe gazetarit e poetit të madh luftëtar, që “ata lart” e dëgjonin të hakërryer plot katër dekada më parë (madje ia hoqën librin nga qarkullimi dhe e bënë karton!). Ndërsa “ata poshtë”, lexuesit e thjeshtë në fusha, kodra e male, e adhuronin dhe e bekonin për guximin e rrallë tek riprodhonte monologun e pafund të hallexhinjve në këtë botë të trazuar :

“C’të hamë? Qiellin?/

Qielli është bërë bajat,/

s’shpohet dot as prej plumbit,/

si një bukë e gatuar/

tej epokës së gurit./

C’të hamë? Drurët?/

Ju i sharruat e i dogjët gjithë drurët me radhë,/

madje edhe ata të palosurit/

në prehistorinë e largët./

C’të hamë? Kafshët?/

Kafshët i bloi, i përbloi të gjitha,/

mokra e stomakut tuaj,/

gjakun e xhunglave në gjakun tuaj injektuat./

Atëhere, ne të uriturit,/

meqenëse me paret (c’parazeza!) që na kanë mbetur/

s’blihet dot as një grusht ullinj,-/

vendosëm t’ju presim, t’ju krypim, përtypim,/

juve, zotërinj ! “./

Ulërinin, përgjakeshin të uriturit e botës;/

Nga zemra që dhembte/

Në gjemba kthehej floku…

Sikur e ka shkruar mbrëmë Xhevua ynë i mirë por fatkeq, penëtari skraparli i vegjëlisë, “këngëtari i krenarive dhe dramave të botës shqiptare” ! Kujtoj grushtin e tij mbi tavolinën e redaksisë së gazetës “Zëri i Popullit” dhe thirrjen gurgullimë gati cdo mëngjes :”Ah, moj botë e korkolepsur, që nuk të c’korkolepsa dot !”. E dëgjoj edhe tani, sa herë kaloj pranë atyre shkallëve që mbanin 48 kapelet e minatorëve të vdekur në miniera. Po Polit(h)ika dhe Qeveritë “demokratike” që vijnë e shkojnë kaluar, përse nuk dëgjojnë nga ky vesh ? Se babëzia e makutëria nuk të zënë vetëm të dyja bulcitë. Së pari, asnjë shteg e rrugë institucionale(shtetërore a private) nuk hedh ende fije drite se c’farë bëhet me familjet e tyre kobzeza të zhytura në skamje e mjerim. Krahasaoni sadopak gratë dhe fëmijët e minatorëve që mbyllën sytë përgjithmonë, me ato të mjaft politikanëve e pushtetarëve lokalë e qendrorë që hargalisen nëpër vila e pishina, në veturat luksoze e pompoze brenda e jashtë vendit. Krahasoni fëmijët e Bulqizës tek mbledhin thërrime kromi për të shuar urinë, me fëmijët e kupolës politike që shullëhen deri në apartamente e shkolla të shtrenjta europiane e perëndimore! Dhe na shesin moral me okë nga tribunat, mikrofonat dhe ekranet e lerosura djallëzisht. Së dyti, Polit(h)ika pa moral (majtas e djathtas) fërkon barkun e barkderrave të vet shërbëtorë që japin e marrin pa hesap tendera, koncesione, licenca e favore të pamerituara në kurriz të taksapaguesve të varfër. Taksapagues që shushaten e zhugaten përditë duke dëgjuar e lexuar pasuritë pa pikë djerse të zyrtarëve të lartë. Imoralitet politik me brirë që po e kthejnë në mënyrë jetese e mbijetese në pushtet. E kam thënë dhe do e them shpesh bindjen time personale : Po nuk u shporr kjo kupolë qelbanike, Shqipëria jonë do të vuajë gjatë ! P.sh. Inspektoriati i Kontrollit të Pasurive ka kohë që është kthyer në një tellall të rëndomtë dhe si arkivist i zakonshëm deklaratash në kullën e rehatisë. Asnjë bilanc me emra e mbiemra të zyrtarëve të lartë, me burime të ligjshme e të paligjshme, me denoncime të shkoqura, pa maska e të pandotura !… Së treti, dhjetra e dhjetra lincenca nepotike(politike, familjare e miqësore për miqtë “me fiq”, partiake e përvëlake) po u marrin shpirtin burimeve minerare dhe vetë minatorëve. Korrupsion i zi sterrë me jetën e njerëzve të ndershëm, me djersën e tyre që po u shkon lumë e për lumë ! Statusi i premtuar u kthye në një top llastiku nëpër fushat hipokrite elektorale. Nga ky front i vështirë, fisnik e pse jo heroik i kohëve moderne, vërshojnë vazhdimisht 2 kërkesa : Kushte më të mira pune dhe rritje të pagave. Por harbutëria e makutëria sipërmarrëse (private a shtetërore) e ka futur herët nën sqetulla Pozitën e Opozitën ! Nuk bëjnë as gëk, as mëk. Kjo është e vërteta e hidhur. “Paraja-maskaraja” po bëhet gjithnjë e më tepër, sic thosh Tolstoi i pavdekshëm, “një formë e re e skllavërisë”! Politikanët shqiptarë kanë idhull pasurinë pa virtytin… Së fundi, pa kaluar disa muaj nga ajo pamja tronditëse me 48 kapelet e minatorëve në shkallët e ministrisë përkatëse, befas në një gazetë të përditshme lexova titullin e një lajmi të zgjeruar : “Gjykatat Administrative, nga 48 gjyqtarë vetëm 1 justifikon pasurinë”! Dhe prit po desh Drejtësi për minatorët e shkretë që ikën me llahtarë nga kjo botë jallane. Policë, ekspertë, prokurorë e gjyqtarë horra, në shumicën e rasteve ua paskan hedhur fajin…të vdekurve(?). Sot, ca Vettingarë e Inspektorë na prezantojnë pasuritë e punonjësve të “Drejtësisë” me shifra e përqindje marramendëse. Njerëzia vënë duart në kokë, mallkojnë e bërtasin si në shkretëtirë. Dhe e mbyllin me një klithmë “Oi, oi ! I ziu popull, c’e ka gjetur !”. Asnjë masë arresti. Vetëm temenara. Asnjë sekuestro ndaj pasunarëve të pistë që kanë shitur e blerë poshtërsisht Ligjet, Nderin e Dinjitetin e zyrtarit të shtetit “demokratik” por cyryk. Shkurt, Drejtësi “e drejtë si drapri”!…