FIFA ka njoftuar se është duke hetuar një video të re të mbrojtësit të Kroacisë, Domagoj Vida, në të cilën ai shfaqet duke thënë përsëri “Lavdi Ukrainës”, si dhe “Flaka i daltë Beogradit”.
Videoja është postuar online pas fitores ndaj Rusisë, e cila e dërgoi Kroacinë në gjysmëfinale të Kupës së Botës, ku do të përballet me Anglinë.
29-vjeçari, i cili në të kaluarën ka luajtur për Dynamo Kiev në Ukrainë, është paralajmëruar nga organi qeverisës i futbollit botëror për videon e kaluar.
Ligjet e FIFA-s i ndalojnë deklaratat politike të futbollistëve.
Kroacia dhe Anglia do të ndeshen të mërkurën në orën 20:00 në gjysmëfinale të Botërorit Rusia 2018.
Videoja e parë e Vidas nxiti reagime dhe kritika në Rusi, sepse fraza e përdorur nga ai ishte përdorur në të kaluarën nga politikanët anti-rusë në Ukrainë.
Vida, i cili shënoi gol në kohën shtesë kundër Rusisë dhe po ashtu goditi saktë penalltinë, më pas kërkoi falje për videon.
Por, edhe në videon e dytë të publikuar tani, ai mund të dëgjohet duke thënë “Flaka i daltë Beogradit”.
“FIFA është duke e shikuar këtë çështje”, ka thënë organi qeverisës i futbollit botëror në një komunikatë.