Liverpool mori kreun e Premier League këtë të shtunë pasi mundi 4-1 Cardiff në “Anfield Road” falë golave të Mohamed Salah, Sadio Mane (dopietë) dhe Xherdan Shaqirit.

Reds-at e Jurgen Klopp do të shpresojnë që Tottenham të ndalë të hënën Manchester Cityn, në mënyrë që të qendrojnë në vend të parë deri javën e ardhshme, ku e pret një ndeshje e vështirë në fushën e Arsenal.

Liverpool nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren dhe kaloi në avantazh që në minutën e 10.

Pas një mësymje në zonën e Cardiff mbrojtësit miq arritën të largonin tre gjuajtje të lojtarëve të Liverpool e në fund topi përfundoi në këmbët e Salah i cili nuk gaboi dhe e dërgoi në rrjetë.

Edhe pse pjesa e parë foli vetëm për vendasit, u desh të vinte minuta e 66’ që ata të dyfishonin avantazhin. Sadio Mane u rrotullua bukur në hyrje të zonës së Cardiff para se të kalonte mbrojtësit që e rrethonin dhe të mposhte portierin kundërshtar me të majtën e tij.

11 minuta më pas Paterson shkurtoi diferencat për uellsianët, por në fund dy gola në tre minuta të shënuar nga Shaqiri dhe Mane vulosën suksesin e skuadrës së Klop, që i shkëput tri pikë më shumë se sa City në renditje.

Të dielën në drekë, Chelsea udhëton në Burnley ndërsa Arsenal mbetet brenda Londrës pasi luan kundër Crystal Palace.

Pasdite Manchester United pret Everton ku do të kërkojë fitoren në përpjekje për të lënë vendin e 10 në renditje.