Qafa e Llogorasë, 40 km nga Vlora është mbuluar nga reshjet e dëborës, ndërsa rruga është e kalueshme për automjetet.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se “inspektova që nga Dukati deri në Qafën e Llogorasë, nuk ka probleme dhe rruga është e kalueshme pa zinxhir”.

“Gjatë gjithë natës dhe ditën e sotme punonjësit e nënkotraktorit “Salillari” po punojnë me intensitet të lartë me borëpastruese, në mënyrë që rruga të jetë e kalueshme për automjetet”, – theksoi Mamaj.

Sipas tij, gjatë gjithë gjatësisë së kësaj rruge është punuar me borëpastruese dhe është hedhur kripë.

“Ne jemi në gatishmëri për të përballuar çdo situatë, si dhe do të mbajmë rrugën e hapur si në Qafën e Llogorasë dhe në Qafën e Muzinës”, – shtoi prefekti.

Qafa e Llogorasë është mbuluar mbrëmjen e sotme nga reshjet e dëborës, ku trashësia e saj ka arritur në 10-15 cm.