Sezoni i fundit në “Champions League” që përfundoi të shtunën me Real Madrid që fitoi trofeun e 3 radhazi ka prodhuar shumë momente të paharrueshme për futbolldashësit.

I fundit ishte ai në finale, me Garreth Bale që shënoi një gol të mrekullueshëm me ‘roveshiatë’, i cili e dërgoi përkohësisht në 2-1 rezultatin. Goli i uellsianit i risolli në mendje tifozëve ‘perlën’ e Ronaldo-s në çerekfinale kundër Juventusit, duke nxitur një krahasim se i kujt ishte më i mrekullueshëm.

Ky diskutim është zgjidhur nga një panel i përbërë nga 3 veta në UEFA. Ata që zgjodhën golin më të bukur ishin David Moyes, anëtar i komitetit të këtij institucioni, Christian Chivu, mbrojtësi rumun që ka luajtur për Inter dhe Roma-n dhe Mixu Paatelainen, trajneri aktual i Letonisë.

Midis dy lojtarëve të Realit, goli më i bukur u zgjodh ai i Cristiano Ronaldo-s, ndërsa për Bale vetëm vendi i dytë. Treshen e plotësoi Gonzalo Hiaguan, me golin e dytë të shënuar për Juven në 1/16 kundër Tottenham në “Wembley”.