“Zgjedhjet e ardhshme do të bëhen në vitin 2021”, ka deklaruar sot zv.kryeministri Erjon Braçe, ndërsa shtoi se zgjedhjet e parakohshme do jenë precedent i rrezikshëm dhe Shqipëria do vuajë mungesën e stabilitetit.

Duke folur për Asamblenë e Partisë Socialiste, zv.kryeministri Erjon Braçe tha se është një sjellje natyrale, pas çdo procesi elektoral, që të shohim se çfarë ka funksionuar dhe jo të shikojmë objektivat që ishin vendosur dhe nuk ishin realizuar, identifikojmë çdo qelizë organizative të PS për të korrigjuar zgjedhjet dhe e gjitha kjo është në shërbim të zgjedhjeve politike dhe analiza shkon në asamble dhe kthehet në bazë për të korrigjuar sjelljen tonë me atë që nuk funksionoi me 30 qershor

Për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, Braçe theksoi “ne i referohemi zgjedhjeve në kohë, zgjedhjeve politike të vitit 2021”.

“Sipas Kushtetutës, që nuk njeh presione politike, zgjedhjet do të jenë në vitin 2021. Për sa koha mazhoranca është funksionale në parlament, në qeveri, funksionale shpresoj shumë shpejt dhe në pushtetin vendor, zgjedhjet e radhës do jenë në 2021”, tha ai.

Për sa i përket mospasjes së opozitës, Braçe tha se nuk është aspak komode mospasja e opozitës.

“Ne jemi mësuar ndryshe, pasi që nga zgjedhjet e 30 qershori konkurrenca ishte e kufizuar tej mase dhe mendoj se një palë zgjedhje me konkurrencë më efektive do të kishin sjellë dhe një organizim më të madh nga pikëpamja organizative e PS”, tha ai.

Për sa i përket një situatë të re politike, që mund të prodhojë zgjedhje të parakohshme, Braçe tha se precedenti i krijuar këto pesë muajt e fundit nuk duhet të legjitimohet në këtë vend.

“Në rast se një precedent i tillë antikushtetues i paligjshëm, i dhunshëm legjitimohet në këtë vend, mendoi se ai precedent do riciklohet në kohë të ndryshme dhe nuk do marrë fund dhe Shqipëria do vuajë mungesën e stabilitetit”, tha ai, duke shtuar se opozita është e përkëdhelur.

Për sa i përket ndërkombëtarëve për t’i dhënë një zgjidhje situatës politike në vend, për një qeveri tranzitore, Braçe tha se mundësitë janë zero.

“Zgjedhjet e 30 qershorit janë mbajtur sipas kushtetutës në konsultim me partitë politike, zgjedhjet janë mbajtur të lira dhe të qeta. Normalisht, të kufizuara jo për shkakun tonë por të të tjerëve që nuk u paraqitën në ato zgjedhje. Janë njohur nga BE dhe SHBA, nga shtete anëtare individualisht ët BE-së. Normalisht do vijë dhe vlerësimi përfundimtar nga OSBE/ODHIR. Kështu zgjedhjet vendore janë kryer, tani jemi në procesin e mbylljes përfundimtare dhe bërjen funksional të pushtetit vendor” tha ai.

Për sa i përket ankesë së PD-së drejtuar Kolegjit Zgjedhor për moskonstituimin e këshillave bashkiakë, deri në vendim të Gjykatës Kushtetuese, Braçe tha se kjo është dëshirë.

“Ne do të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Deri më sot në Gjykatë Kushtetuese ka një ankesë nga shoqata e bashkive që drejtohet nga PD dhe ka në thelb 30 qershorin, ndërsa për 23 tetorin s’ka asgjë. Në qoftë se veprimet e kryera nga presidenti në raport me 30 qershorin do të konsiderohen kushtetuese atëherë ka marrë fund çdo gjë”, tha ai.

“Qeveria të qeverisë vendin dhe veçanërisht të fokusohet në shërbime, ruajtje e sigurisë publike, apo të rikuperojë klimën e acaruar nga aktiviteti politik i opozitës dhe së dyti të ofrojë dialog, dhe këtë duhet ta bëjë me opozitën që është në parlament dhe me opozitën që është jashtë parlamentit. Së treti duhet të vijojë shumë fortë me reformën në drejtësi. Një sistem drejtësie i pavarur nga partitë politike, nga politika vetë apo nga korrupsioni i cili është prezent në shkallën më të lartë të mundshme në sistemin e drejtësisë, duhet të jetë një garanci më shumë për të gjitha problematikat”, tha Braçe.

Për sa i përket fushatës kundër informalitetit, Braçe tha se nuk duhet të jetë fushatë por sjellja e organeve fiskale duhet të jetë permanente në raport me ligjshmërinë e çdo transaksioni që kryhet në të gjitha nivelet e tregjeve.

“Kemi ndërmarrë që nga fundi i muajt shkurt deri në funt të qershorit një fushatë edukuese informuese për sipërmarrjen. Numrat na tregojnë se e gjithë kjo fushatë nuk pati rezultatet e pritshme”, tha ai.