Zinedine Zidane bëri një premtim të fortë, se skuadra e tij, Real Madridi, nuk do të kishte asnjë problem për t’i mposhtur kampionët e Europës në fuqi, nëse shorti i përball në turin tjetër të Champions-it. Pra, Jurgen Klopp dhe Liverpool janë të paralajmëruar. Gjigantët e La Liga-s e kishin siguruar kualifikimin në grupe para fitores së mbrëmshme, 3-1 ndaj Club Brugge. Tani, ata mund ta kthejnë vëmendjen nga shorti për turin tjetër, që do të hidhet të hënën nga UEFA.

Të bardhët e mbyllën të dytët e grupit A, pesë pikë pas PSG, çka do të thotë se mund të shortohen potencialisht me udhëheqësit e Premier League, të drejtuart nga Jurgen Klopp. I pyetur nëse “Reds” ishte një kundërshtar për t’u shmangur, Zidane buzëqeshi dhe tha: “Nëse luajmë me Liverpool, ne do ta eliminojmë. Nuk mund të bëjmë asgjë në lidhje me shortin, të presim e të shohim”. Real Madridi ishte larg nga paraqitja më e mirë në Belgjikë, por Zidane insiston se ishte i lumtur me të tijtë:

“Jemi të kënaqur me fitoren dhe me mënyrën se si luajtëm. Kemi pasur vështirësi në lojën tonë, pasi belgët, si zakonisht, luajnë me pesë në pjesën e pasme. Çuditërisht, sonte luajtën me katër. U deshën 10, ose 15 minuta që lojtarët të sistemoheshin në fushë, në varësi të kundërshtarit. Pjesa e dytë ishte më e mirë për ne, në çdo drejtim”.