Manchester Unitedi dhe Chelsea kanë hyrë në garë kundër Manchester Cityt për ta siguruar transferimin e mbrojtësit të Crystal Palace, Aaron Wan Bissaka. Megjithatë, transferimi i tij nuk pritet të ndodhë para afatit kalimtar të verës. E përditshmja angleze, The Mirror, raporton se Crystal Palace do ta humbë Wan-Bissaka gjatë afatit kalimtar të verës pasi që tashmë veçse ka filluar interesimi nga klubet e mëdha të Anglisë.
21-vjeçari ka qenë një ndër performuesit më të mirë të Crystal Palace gjatë këtij sezoni, pasi iu dha mundësinë të debutojë në shkurt të vitit të kaluar nga Roy Hodgson. Që nga atëherë, ai e ka zënë vendin e parë në pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë. Në nëntor të vitit të kaluar ishte raportuar se kampioni në fuqi i Premierligës, Manchester City, kishte filluar ta mbante nën mbikëqyrje të riun anglez, i cili e ka përfaqësuar Anglinë deri më tani në ekipin kombëtar U-21.
Mirëpo, Manchester City nuk do ta ketë të lehtë ta transferojë Bissakën, pasi që tani në garë për transferimin e tij janë futur edhe dy klube të mëdha të Premierligës, Manchester Unitedi dhe Chelsea. Manchester Unitedi e transferoi mbrojtësin anësor të ri, Diogo Dalotin, nga Porto gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, mirëpo 33-vjeçari Antonio Valencia pritet të largohet në fund të këtij sezoni, ndërsa opsioni tjetër, Ashley Young, i mbush 34 vjet në korrik.
Cesar Azpilicueta është opsioni i parë i Chelseat për këtë pozitë, mirëpo ata janë në treg për ta gjetur një opsion të dytë pasi që Davide Zappacostës i mbaron kontrata me klubin londinez pas 18 muajve. Wan-Bissaka është në lidhje kontrate me Crystal Palace deri në fund të sezonit 2021/2022. Ai e rinovoi kontratën e tij me klubin në prill të vitit të kaluar.