UEFA do ta shqyrtojë rregullën për golin si mysafir në garat evropiane, pasi që shumë trajnerë ishin ankuar për këtë rregull, duke thënë se është koha për ndryshim. Jose Mourinho, Arsene Wenger dhe Rafael Benitez ishin pjesë e panelit të trajnerëve, të cilët e kërkuan këtë ndryshim nga UEFA.
Rregulli për golin si mysafir do të thotë se goli i cili shënohet nga një klub si mysafir ka më shumë vlerë se ai që shënohet në shtëpi. Sezonin e kaluar, Barcelona e kishte fituar ndeshjen në shtëpi të çerekfinales kundër Romës me rezultat 4-1, ndërsa Roma e kishte fituar ndeshjen kthyese me rezultat 3-0. Edhe pse rezultati i përgjithshëm ishte i barabartë, 4-4, Roma ishte kualifikuar në gjysmëfinale për shkak të golit të shënuar si mysafire, transmeton Gazeta Express.

Sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Giorgio Marchetti, e ka konfirmuar se ata do ta hapnin një diskutim ku do të debatohet për të ardhmen e këtij rregulli, për të cilin janë ankuar trajnerët dhe drejtuesit e shumë klubeve evropiane.

“Trajnerët mendojnë se shënimi i golave si mysafirë nuk nuk është aq e vështirë sa ka qenë në të kaluarën. Ata mendojnë se kjo rregull duhet të shqyrtohet dhe për këtë arsye, ne do ta bëjmë këtë gjë”, ka thënë Marchetti.

“Ata vlerësojnë se situata në futboll ka ndryshuar dhe pesha e golave si mysafir nuk është më e njëjtë me ata të para disa viteve, kur ka filluar të përdoret fillimisht kjo rregull”.

Rregulli për herë të parë është përdorur në Kupën e Fituesve të Kupës Evropiane në vitin 1965, si mënyrë për të vendosur ndeshjet qe kanë përfunduar baraz, për ta shmangur vendosjen e rezultatit me short apo me përsëritjen e ndeshjes në terren neutral.