“Jemi vërtet shumë të kënaqur që të bëhemi bashkë me Bashkimin Europian dhe autoritetet shqiptare që të mbështesim zhvillimin e turizmit në Shqipëri, i cili është një sektor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, për krijimin e vendeve të punës, si dhe për stimulimin e rritjes ekonomike të vendit”.
Kështu deklaroi sot Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH), Suma Chakrabarti, në prezantimin e projektit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim me vlerë 100 milionë euro në mbështetje të programit transformues të turizmit në Shqipëri.
“Çdo fotografi e tregon vetë sesa i rëndësishëm është ky sektor. Ne jemi vërtet shumë të kënaqur që të bëhemi bashkë me Bashkimin Europian dhe autoritetet shqiptare që të mbështesim zhvillimin e turizmit në Shqipëri, i cili është një sektor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, për krijimin e vendeve të punës, si dhe për stimulimin e rritjes ekonomike të vendit”-, nënvizoi Chakrabarti.
Kreu i BERZH u shpreh se “po bëhemi bashkë me BE dhe partnerët vendorë në Shqipëri që të fuqizohet ky sektor në katër rajone kryesore të Shqipërisë, të gjitha shumë të rëndësishme sa i përket trashëgimisë kulturore”.
Sipas tij, natyrisht shumica e turizmit shqiptar është e përqendruar në bregdet.
“Ne besojmë se një potencial shumë i madh edhe domethënës ekziston në turizmin e trashëgimisë kulturore dhe historike duke pasur parasysh historinë e madhe të këtij vendi, por edhe bukuritë natyrore të shkëlqyera”, theksoi Chakrabarti.
Ai u shpreh se “programi nuk ka të bëjë me madhësinë e investimit se kjo është domethënëse në vetvete, 100 milionë euro, por edhe qasja e koordinuar që do të përdoret për ta çliruar gjithë këtë energji në Shqipëri”.
“Këtu nuk flasim vetëm për investime në infrastrukturë, por për ruajtjen e disa vendeve të mrekullueshme të trashëgimisë kulturore, po ashtu dëshirojmë të fuqizojmë kompanitë private në këtë zinxhir të sektorit të turizmit, me anën e këshillave të BERZH dhe bashkëfinancimit të aktiviteteve të tyre”, tha Chakrabarti