Akti Normativ për disa ndryshime në buxhetin 2019, garanton një rishpërndarje të disa zërave dhe merr parasysh situata të paparashikuara, siç ishte rasti i tërmetit të 21 shtatorit. Kështu deklaroi sot në Kuvend, deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi, e cila tha se “së pari synohet financimi i fondit rezervë të buxhetit të shtetit në vijim të situatës së emergjencës të krijuar pas tërmetit të 21 shtatorit”.
“Klima politike e acaruar nuk ka ndihmuar rritjen ekonomike pasi krijoi pasiguri, dëmtoi imazhin dhe investimet brenda territorit. Situata që paraqitet në rritjen ekonomike në Ballkan i dërgon sinjale Shqipërisë për të ndërtuar politika që nxisin sipërmarrjen”, tha Mesi. Sipas Mesit, “qëllimi është që të gjithë sektorët të kontribuojnë te rritja ekonomike, jo vetëm disa sektorë të veçantë”.
Ajo shprehu besimin se turizmi bregdetar dhe ai malor, sidomos pas projekteve të iniciuara nga qeveria si “100 fshatrat” dhe skemat e tjera të investimit, të sjellin një benefit të suksesshëm në ekonomi. Po ashtu, Mesi tha se krijimi i zonave të pavarura dhe të lira ekonomike do të nxisë investitorët e huaj për të investuar në ato zona.
“Duhet të shohim lehtësira për investimet e huaja direkte në paketën e ardhshme fiskale”, tha Mesi. Po ashtu, ajo vlerësoi rezultatet në luftën kundër informalitetit, si shumë pozitive, në mbrojtje të sipërmarrjes.