Alfred Peza, Sekretar për Mediat në Partinë Socialiste, është i bindur se zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen pa problem, pasi, sipas tij, “nuk ka aq budallenj që të shkojnë në bu*rg për të cenuar legjitimitetin e procesit”.

“Kri*met elektorale në demokraci janë nga kri*met më të rënda që mund të bëhen, për shkak se shenjtëria e zgjedhjeve demokratike është më e madhja”, theksoi Peza.

Në lidhje me ofertën për dialog të kryeministrit Edi Rama ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Peza nënvizoi se “oferta për dialog e kryeministrit është në tryezë dhe dora është e shtrirë çdo ditë”.

Sipas Sekretarit për Mediat në Partinë Socialiste, opozita nuk hyn në zgjedhje pasi e di që i ka të humbura ato: “Pasi humbën zgjedhjet e 2015 dhe 2017, e dinin që do të ishte humbja e tretë dhe në këto kushte po bëjnë lojën e strucit, pasi mendojnë se nëse nuk hyjnë, nuk quhet që kanë humbur zgjedhjet”.

Në lidhje me mundësinë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Peza u shpreh: “30 qershorin e ka vendosur Presidenti i Republikës. Nëse Kreu i Shtetit që e ka dekretuar këtë datë mund ta shtyjë, jemi të hapur. Nga ana jonë nuk e negociojmë 30 qershorin, por ata që e kanë në dorë mund të ulen të diskutojnë, nëse do të ulen ndonjëherë. Ka një problem të madh me opozitën, e cila kundër këshillave të partnerëve tanë gjermanë, thotë që nuk ulemi në dialog me Edi Ramën. Sali Berisha vazhdon t’i qëndrojë vijës së kuqe që i ka vendosur opozitës duke thënë që ose largohet Edi Rama ose shkrihet opozita. Dhe nuk besoj se Lulzim Basha ka guxim ta shkelë këtë vijë të kuqe”.