Zbardhje të ngjarjeve të ndodhura në 2018-ën që ende janë pa autor dhe vijim të forcës goditëse ndaj grupeve kriminale. Kjo ka qenë porosia e prerë e numrit një të policisë së shtetit Ardi Veliu, gjatë analizës vjetore të policisë së Shkodrës.

Plot 3 orë ka zgjatur takimi me strukturat drejtuese të kryeqendrës së veriut, ku burimet bëjnë me dije se nuk kanë munguar kritikat e shumta për punën e deritanishme, e fokusuar kjo në disa drejtime. Në dalje për mediat Veliu u tregua i rezervuar duke mos dhënë detaje.

Ishte drejtori i policisë së qarkut Shkoder Vehbi Bushati i cili pranoi kritikat e bëra dhe detyrat që ju la kësaj strukture.

“Mbaruam analizën një vjetore. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri vlerësimet kritikat dhe la detyrat. Viti që vjen do të jetë akoma më i angazhuar për t’i sjellë rend dhe cilësi qytetarëve të Shkodrës. Kërkoi punë dhe rezultate konkrete në goditjen e të gjithë tendencave kriminale.”

Kërkesa kryesore e Veliut ka qenë e prerë tha më tej Bushati, ndërsa u ndal edhe tek vettingu, procesi që pritet të bëjë pastrimin e radhëve të policisë.

Për ngjarjet që ende janë pa autor, Bushati kishte këtë përgjigje: “No coment”

Analiza vjetore e policisë së qarkut Shkoder u zhvillua me dyer të mbyllura dhe burimet sqarojnë se fillimisht drejtori i qarkut Bushati ka lexuar një raport të gjatë e të detajuar të çdo ngjarje të ndodhur, ecurinë që kanë patur hetimet dhe punën që po bëhet me organet e tjera ligjzbatuese. Më pas Veliu duke u fokusuar shumë tek shifrat ka shprehur haptazi pakënaqësinë që ka në këtë drejtim dhe ka lënë porosi të prere për një rezultat ndryshe për vitin që kemi nisur.