Është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 72 vjeçare kompozitori i shquar grek Thanos Mikroutsikos.
Është muzikologu studiues shqiptar Vasil Tole që jep detaje të jetës së tij për publikun shqiptar.
‘Falë talentit dhe intelektit muzikor të Tij, Mikroutsikos kombinoi me sukses traditat muzikore greke me gjuhën dhe teknikat muzikore kompozicionale të shek XX–të duke qenë njëherazi edhe një ndër emrat e shquar të muzikës evropiane të ditëve tona’, shkruan Vaso Tole.
‘Krijimet e tij muzikore, kryesisht ato vokale të mbështetura mbi vargjet e poetëve të mëdhenj grekë, ndër ta edhe Ricos e Kavafis (“Kantata gia ti Makroniso”-Cantata for Makronisos, “Fouente Ovehouna”-Fuenteovejuna, “Troparia gia Foniades”-Hymns for Murderers and “Mousiki Praxi Ston Brecht”-Musical Practice on Brecht), do të mbeten në repertorin e artë të muzikës greke dhe asaj evropiane për frymën e tyre novatore.
Veç të tjerash, Mikruotsikos ishte një ndër intelektualët e rreshtuar hapur kundër juntës ushtarake në vitet 1960 si dhe një ndër ministrat më të suksesshëm të kulturës në Greqi, pas viteve 1990, kohë në të cilën pata rastin ta takoj dhe të njihem personalisht me të. Humbja e Tij e parakohshme na trondit pasi ai ishte aq optimist për jetën’, shkruan Vaso Tole për muzikantin grek.