Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca morën pjesë në ceremoninë e prezantimit të skemës së granteve “IPARD II 2014 – 2020”, për zhvillimin e sektorit Agro-Ushqimor për Qarkun e Elbasanit.

Balla thekson se AZHBR-ja nga një institucion me mungesë transparence, sot përbën një garanci të domosdoshme të angazhimit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

“Deri dy vite më parë AZHBR-ja ishte një institucion ku mungonte tërësisht transparenca dhe mënyra e administrimit të mirë të fondeve, një garanci kjo e domosdoshme, në një rrugë të rëndësishme të angazhimit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. IPARD-i është padyshim një shkollë e rëndësishme, të cilën ne duhet ta kryejmë më së miri, për të treguar kapacitetet absorbuese tonat për sa i përket fondeve të BE-së”, shprehet ai.

Po ashtu Balla shton se duhet të orientohemi nga tregu përsa i përket bujqësisë.

“Bujqësia, duhet ta them që është në një fazë shumë të rëndësishme, po aq edhe delikate, po të kemi parasysh orientimin që duhet të marrë. Ne duhet të riorientohemi me nevojat që ka tregu dhe dua të ndaj me ju disa shifra domethënëse, përsa i përket suksesit të mirë administrimit të ri të AZHBR-së nën drejtimin e Frida Krifcës”, tha Balla.

Gjithashtu, Balla u bëri thirrje fermerëve të aplikojnë për investime në sektorin e bujqësisë.

“Për vitin 2018, vetëm në Elbasan kemi 5 përfitues me një fond prej 662 300 eurosh, që vetëm për Elbasanin është një shifër domethënëse; janë tre linja përpunimi makineri dhe pajisje dhe dy ambiente grumbullimi, po ashtu kemi edhe masa direkte me përfitues 367 fermerë me një buxhet prej 482 mijë eurosh ku 64 janë në blegtori, në ferma qumështi janë 13, në bletari 82, në zëvendësime të plasmasit apo pajisjeve të tjera të serave 10, përmirësimi i teknikave të ujitjes 89, në ferma organike 1 dhe këtu do të doja të kisha një vëmendje më të madhe. Dua t’i bëj thirrje fermerëve të aplikojnë për investime në Fermat Bujqësore, në aktive fizike për Përpunimin dhe Tregtimin e Produkteve Bujqësore dhe në Diversifikimin e Fermave dhe Zhvillimi i Biznesit”, shprehet ai

Në fund Balla tha se “Qarku i Elbasanit duhet të fokusohet tek: Prodhimi i Bimëve Aromatike Mjekësore (BAM), kërpudhave, mjaltit, bimëve zbukuruese dhe kërminjve. Përpunimi në fermë dhe tregtimi direkt i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat dhe perimet, vera, etj (Fermerë). Përpunimi dhe tregtimi i BAM-ve të egra ose të kultivuara, kërpudha dhe mjaltë; Vaji i Ullirit Akuakulturë. Natyra dhe turizmi rural. Shërbimet për popullsinë rurale dhe biznesin. Zejtari dhe industria prodhuese Prodhimi i energjisë së rinovueshme”.