Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po merr pjesë në konferencën që po zhvillohet në Amsterdam mbi zgjidhjet e integruara për menaxhimin e ujit.

Ministrja Balluku shprehet se qeveria shqiptare, sot më shumë se kurrë po investon intensivisht në rritjen e kapaciteteve të shërbimit të ujësjellësave në mbarë vendin.

“Në AmsterdamIWW Conference, u diskutuan nga aktorët ndërkombëtarë, zgjidhjet e integruara për menaxhimin e ujit, një element jetik, i cili nuk merr asnjëherë vlerën e paçmuar që ka në të vërtetë. Bisedova me specialistë të fushës dhe aktivistë që prej vitesh mbrojnë këtë kauzë globale. Qeveria shqiptare, sot më shumë se kurrë po investon intensivisht në rritjen e kapaciteteve të shërbimit të ujësjellësave në mbarë vendin”, shprehet Balluku.

Balluku gjithashtu u shpreh se Shqipëria sot mund të renditet në vendet që kanë një strategji të qartë për menaxhimin e ujërave.

“Gjithashtu, sot mund të renditemi në vendet që kanë një strategji të qartë për menaxhimin e ujërave, duke përmirësuar dukshëm cilësinë e ambientit ku jetojmë. Veronica Manfredi, për Komisionin Europian tha qartë se: shëndeti i ujërave tanë reflekton vlerat e shëndetshme të shoqërisë tonë”, tha Balluku.