Sot në orën 16, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, u bë kalimi i detyrës nga ministri Damian Gjiknuri, tek ministrja e re Belinda Balluku. Znj. Balluku ka qenë pjesë e brendshme e kësaj ministrie, sepse ka mbuluar më parë një sektor si ai i navigimit ajror.

Në fjalën e saj, ministrja vlerësoi punën e Damian Gjiknurit dhe të stafit dhe u shpreh e gatshme për të vazhduar të gjitha reformat e nisura prej tij.
“Është një nga ministritë më të mëdha dhe që prek çdo sektor. Të mbyllim punët e nisura sa më parë, kantieret që janë të hapura, projekte të shkëlqyera që duhet të konkludohen për t’u dorëzuar në afatet që janë parashikuar. Përgjegjësia dhe pozicioni më bën të jem në krye të gjithë problematikave.”, tha ministrja Balluku.

Ajo përgëzoi stafin për punën e shkëlqyer të deritanishme, dhe inkurajoi që suksesi të jetë shoku më i mirë i rrugëtimit, siç ishte deri më sot, ashtu edhe në të ardhmen.Ndërsa ministri i mëparshëm Gjiknuri, i uroi suksese znj. Balluku dhe stafit, në punën e tyre sfiduese dhe interesante, si dhe falënderoi stafin për rrugëtimin e deritanishëm.