Nga Ylli Pata

Javën e ardhshme pritet një betejë finale e dy grupimeve në Shqipëri: ai që është pro hapjes së negociatave me BE, pra mazhoranca, si dhe ata që janë shprehur dhe lobojnë për të mos i hapur negociatat.

Aq absurde është bërë kjo lojë, sa energjia negative në Tirana është futur në mes të Berlinit dhe ka infektuar edhe politikën gjermane.

“Beteja për Berlinin” bëhet më interesante kur që më datë 3 qershor, Meta dhe Basha nga njëri krah dhe Balla, Lleshaj dhe Gjonaj nga krahu tjetër, do të jenë në Berlin me axhenda të ndryshme, por sigurisht “lobingu” kundër apo pro hapjes së negociatave do të jetë qëllimi kryesor.

Aq sa në mes CDU-së, partisë së Angela Merkelit, po përplasen për Shqipërinë. Për ta bërë sa më të fortë dhe me nivel të lartë lobimin, javën e ardhshme do të jenë në Berlin presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kreu i PD-së Lulzim Basha, që do të marrin pjesë në një mëngjes lutjesh, një lobim politik i grupimeve të djathta, ndërkohë që krerët e mazhorancës; numri dy i PS-së, Taulant Balla dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, do të jenë në takime të larta bilaterale të ftuar nga Bundestagu gjerman, si me deputetë të CDU-së, PSD-së, por edhe të të gjelbërve, që kanë rritur peshën e tyre në zgjedhjet e fundit europiane.

Pas një deklarate për DW të deputetëve të CDU, Wadephul dhe Schmidt, ku për zgjedhjen e krizes u përmend si mundësi edhe diskutimi për një shtyrje të mundshme të zgjedhjeve lokale, ka patur tre reagime të forta nga brenda grupit të mazhorancës CDU/CSU.

I pari ishte Nikolas Lobel, i cili deklaroi zgjedhjet jo vetëm nuk duhet të shtyhen, por opozita duhet të kthehet në institucione.

Më pas Mark Hauptman me një deklaratë të forte e cilësonte deklaraten Wadephul-Schmidt ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë dhe shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës, dhe sot anëtari i Kryesisë së CDU, Olav Gutting.

“Ne duhet të jemi të ndjeshëm në mesazhet që dërgojmë nga Gjermania në Shqipëri.

Problemet e brendshme janë shqetësuese, por ne duhet të jemi të kujdesshëm në këshillat që i japim Shqipërisë, për shembull në lidhje me datën e zgjedhjeve.

Ne vetëm mund të themi se largimi nga Parlamenti dhe hedhja e molotovëve nuk është një mundësi. Kjo madje është e gabuar dhe nuk përputhet me vlerat tona.

Mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe debateve parlamentare, jo përmes luftimeve në rrugë”, shprehet Olav Gutting.

Zoti Wadephul, i cili njihet per afrimitetin me kryetarin e PD, Basha, pati nje reagim tjetër për Shqipërinë, duke mos permendur më datën e zgjedhjeve, por për progres-raportin e KE, që rekomandoi fillimin e bisedimeve për anetaresim mes BE, duke shprehur rezerva për përmbushjen e kushteve nga Shqipëria.

Po ashtu edhe Krachbaum deklaroi se vendimi do të merret në tetor.

Lidhur me krizën në Shqipëri, reagimi i parë ishte në momentin kur PD dhe LSI dorëzuan mandatet.

CDU/CSU përmes deputetit Florian Hahn, zëdhënës për Çështjet Europian deklaroi se “Shqipëria për momentin është duke luajtur shumë me kredibilitetin tek miqtë europianë.

Në rast se perspektiva për çeljen e negociatave për në BE në mesin e vitit të kaluar ishte ende rozë, tani po shfaqen re të zeza.

Protestat e aktuale në Tiranë pengojnë qeverinë, si dhe paralizojnë funksionimin e parlamentit.

Protestat dhe demonstrtratat bëjnë pjesë tek të drejtat e njeriut dhe janë një tipar dallues i demokracisë, në rast se ato zhvillohen në mënyrën e duhur.

Por deputetët e partive tona partnere në Shqipëri i bëjnë një shërbim të keq (autogol) qëllimit të tyre, nëse nëpërmjet dorëzimit masiv të mandateve do të shkaktojnë një stanjacion politik dhe do të nxisin protesta të dhunshme. Një qëndrim refuzues nuk i shërben as vendit, as qytetarëve”.

Megjithatë qëndrimi zyrtar i Gjermanisë është i shprehur qartë nga ministri për Europën, Michael Roth:

“Në rastin e Shqipërisë, do të doja veçanërisht të theksoja arritjet e thella dhe të nënvizoj reformën e pashembullt gjyqësore. Veçanërisht në shqyrtimin e gjyqësorit, per gjyqtarët dhe prokurorët, Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm.

Deri tani, pothuajse 100 persona janë kontrolluar duke përfshirë të gjitha 57 rastet prioritare. Janë marrë 97 vendime, 19 njerëz kanë dhene dorëheqja e tyre nga procesi”, thekson ministri gjerman në letrën e tij.

Ai informon Budenstagun për rezultatet e vetting-ut në Shqipëri me largimin e njerëzve të drejtësisë të korruptuar.

Ai shkruan se Gjykata Kushtetuese do të jetë plotësisht funksionale përsëri në gjysmën e dytë të vitit.

Dhe me institucionet e krijuara rishtazi, rruga është gjithashtu e qartë për krijimin e një strukture të veçantë për të luftuar gjithashtu korrupsionin dhe krimin e organizuar nga Byroja Kombëtare e Hetimeve.