Radha e Sofjes në krye të Këshillit të Europës nuk pa përparime të mëdha, por as ngërçe dhe gafa dhe ajo arriti të rikthente Ballkanin Perëndimor në axhendën e BE-së.
Nga Martin Dimitrov
Në fund të qershorit, Bullgaria përfundon mandatin e saj gjashtë mujor si kryetare e Këshillit të Bashkimit Europian, duke ia kaluar pishtarin Austrisë.
Për herë të parë në historinë e tij moderne, kryeqyteti i Bullgarisë dhe Pallati Kombëtar i Kulturës i epokës komuniste, NDK, ishin për pak kohë fokusi i politikës europiane.
Ndërsa presidencës i afron fundi, ekspertët dhe diplomatët bullgarë nxjerrin konkluzione të përziera, por përgjithësisht pozitive rreth të dhënave të Bullgarisë.
Nga njëra anë, ata ranë dakord se Sofja nuk mund të mburret me ndonjë përparim serioz të politikës në nivel europian.
Gjatë kohës së Sofjes si kryetare e Këshillit të BE-së, ajo solli në axhendën europiane temën e Ballkanit Perëndimor.
Ajo gjithashtu lejoi që burokratët bullgarë të largoheshin nga zona e tyre e komoditetit dhe të provonin hartimin e politikave të BE-së dhe të vërtetonin se, pavarësisht mangësive të saj, Bullgaria mund të menaxhojë çështjet komplekse të BE-së.
Ulja e pritshmërisë e ndihmoi Bullgarinë të shkëlqente
“Hera e parë e Bullgarisë në krye të Këshillit të BE-së do të ishte gjithnjë më shumë për shmangien e keqadministrimit dhe kaosit institucional sesa për të lënë një trashëgimi të thellë politike dhe politike”, tha këshilltari bullgar i punëve të jashtme dhe konsulenti në Sophia Analytica, Vladimir Shopov.
“Duke pasur parasysh pozicionin e Bullgarisë në BE dhe pritshmëritë fillestare, kjo mund të konsiderohet një punë e bërë mjaft mirë,” shtoi ai.
“Presidenca bullgare shmangu defektet teknike dhe logjistike dhe madje krijoi momente politikash emocionuese, siç ishte edhe samiti i Ballkanit Perëndimor në maj, shfaqja e marrëveshjes së Iranit dhe debatet për marrëdhëniet me SHBA-na,” tha Marin Lessenski nga Open Society Institute.
Vessela Tcherneva, kreu i Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme në Sofje, ECFR-Sofia, ishte dakord me këtë.
“Nga këndvështrimi i BE-së, presidenca ishte një surprizë e këndshme, sepse ata nuk dinin se çfarë të prisnin nga Bullgaria dhe shumë prej tyre prisnin një përpjekje kaotike,” tha ajo. “Fakti që nuk kishte gafa të mëdha ishte diçka e mirë me vete.”
Yavor Siderov, një ish-këshilltar në Këshillin e Ministrave i cili koordinoi përgatitjet për presidencën e BE, tha për BIRN se Bullgaria i kishte lënë shumë pak rastësisë.
“Rreth 1,200 deri në 1,300 personel stafi u trajnuan gjatë fazës përgatitore. Kjo është pozitive. Kjo gjë rriti ekspertizën dhe aftësitë e tyre dhe ata do ta kthejnë këtë në Sofje,” tha ai.
Tcherneva tha gjithashtu se administrata e vendit fitoi diçka më shumë nga presidenca.
Ajo ishte “de-provincializua”, duke u detyruar të bisedonte me partnerët e saj të BE-së, të formulonte qëndrimet e veta, të ndërmjetësonte dhe të punonte drejt ndërtimit të koalicioneve, në mos edhe konsensuse, theksoi ajo.
Suksesi i përzier në nxitjen e reformave
Bullgaria mori përsipër katër pako kryesore reformash nga presidenca estoneze: reformat në direktivën e energjisë, të ashtuquajturën rregullorja e Dublinit mbi azilin, ligjin e të drejtës së autorit dhe direktivën e punëtorëve “të postuar”.
Sipas Lessenskit, reforma e politikës energjetike mund të llogaritet si një sukses. BE arriti një marrëveshje mbi një objektiv të ri, më të lartë të energjisë së rinovueshme prej 32 për qind deri në vitin 2030, që mund të quhet fitore për Bullgarinë.
Një tjetër reformë që mund të llogaritej si pjesërisht e suksesshme, sipas tij, ishte për ligjin mbi të drejtën e autorit, për të cilin shtetet anëtare të BE-së arritën një konsensus dhe miratuan paketën e propozuar me disa ndryshime.
“Megjithatë, shumë nga masat po kritikohen ashpër se mund të vënë në rrezik liritë e qytetarëve. Ka një shtysë për ta ndalur ligjin për të drejtën e autorit në Parlamentin Europian dhe për të ndryshuar pjesët më të kritikuara nga kritikët e tyre si “makineri censurimi”, vuri në dukje Lessenski.
Shopov shënoi disa suksese të tjera të vogla, por të dukshme të presidencës bullgare. Heqja e gjeo-bllokimit në tregtinë elektronike, një marrëveshje mbi direktivën e punëtorëve të postuar, mbi financimin e partive politike dhe fondacioneve europiane, si edhe mbi riciklimin dhe emetimet tregtare.
“Ajo që është më e rëndësishme është se nuk pati ngërçe të mëdha logjistike dhe menaxhimi i proceseve të ndryshme në Bruksel shkoi relativisht qetë,” shtoi ai.
Rasti i paketës së lëvizshmërisë ishte sidomos i rëndësishëm, pasi vetë qeveria e Bullgarisë kundërshtoi disa nga dispozitat për transportin me kamionë, e gjendur përballë protestave nga kompanitë bullgare që punonin në këtë sektor dhe nga eurodeputetët bullgarë.
Ironikisht, në cilësinë e presidentes së BE-së, Bullgaria duhet të mbikëqyrte miratimin e paketës së lëvizshmërisë, ndërsa njëkohësisht përpiqej të rinegocionte dispozitat e saj.
Edhe pse debati nuk ka përfunduar, ai e tregoi Bullgarinë në një dritë të rrallë – si një ndërmjetëse të ndershme.
“Gjëja e parë e madhe për Bullgarinë nga presidenca ishte se ajo la përshtypjen se mund të veprojë si një ndërmjetëse e ndershme në portofole të mëdha të diskutueshme pa u përpjekur të vënë përpara interesat e veta,” tha Tcherneva.
“Kjo ishte ndjesia para fillimit të presidencës, një keqkuptim se qëllimi kryesor ishte përparimi i axhendave kombëtare, por, fatmirësisht, zyrtarët bullgarë kuptuan se kjo nuk mund të ndodhë.”
Megjithatë, në disa reforma të tjera, Bullgaria nuk arriti të krijonte një konsensus.
Një problem i madh ishte reformimi i të ashtuquajturave “rregulloret e Dublinit” mbi azilin, duke i detyruar azilkërkuesit të kërkojnë azil në vendin e parë të BE-së që arrijnë.
Presidenca bullgare u përpoq, por nuk arriti të negociojë zgjidhje kompromisi për këtë çështje delikate.
Megjithatë, dështimi i saj për të kryesuar reformën për këtë rregull – për të cilin vendet në skaj të BE-së dhe brenda saj nuk bien dakord – nuk ishte në dorë të aftësive të Bullgarisë apo mungesës së tyre, këmbënguli Lybomir Kyuchukov, drejtor i Institutit të Ekonomisë dhe Mrrëdhënieve Ndërkombëtare në Sofje.
“Gjatë presidencës, ka pasur progres në disa nga paketat e dosjeve të BE-së, por çështjet problematike nuk u zgjidhën me një konsensus – gjë e cila thjesht dëshmon ndasitë brenda BE-së për tema kyçe,” tha ai për BIRN.
Sipas tij, reforma e rregullave të Dublinit do të pengohet nga qëndrimet “diametralisht të kundërta” të vendeve periferike të BE-së dhe vendet e tjera anëtare të BE-së.
Kyuchukov tha se ai shpresonte që së shpejti të mund të arrihet një konsensus dhe jo nën presionin e një krize të re migracioni.
Rikthim i fokusit në Ballkanin Perëndimor
Ndërkohë, pika kulmore e presidencës së Bullgarisë të BE-së ishte samiti i majit në Sofje.
Ai mblodhi 27 liderë të vendeve të BE-së (përveç Spanjës) dhe liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
Prioriteti kryesor i presidencës bullgare të BE-së ishte të përparonte perspektivat euro-atlantike të atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e NATO-s apo e BE-së, si Maqedonia, ose janë pjesë e njërës, por jo e tjetrës, si Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat i përkasin NATO-s, por jo BE-së.
“Bullgaria investoi kapitalin e saj të kufizuar politik në dy çështje: Ballkani Perëndimor dhe dialogu me Turqinë, arriti të organizonte takime të nivelit të lartë për të dyja, por mori shumë pak në kushte dhe angazhime të prekshme,” vuri në dukje Shopov.
Megjithatë, ai shtoi: “Prioriteti i Ballkanit Perëndimor mund të konsiderohet i mirë institucionalizuar tani me presidencat e ardhshme të angazhuara për vazhdimin e tij.”
Lyubomir Kyuchukov gjithashtu kishte ndjenja të përziera në lidhje me rezultatin e samitit të majit në Sofje.
“Ballkani Perëndimor u vendos më lartë në axhendën europiane, por Deklarata e Sofjes ishte një hap pas për BE-në në krahasim me axhendën e Selanikut nga viti 2003 dhe Strategjinë e Komisionit Europian në shkurt,” tha ai.
Deklaratës së Sofjes i mungonin dy elemente kryesore të dokumenteve të mëparshme – përmendja e zgjerimit të BE-së dhe përmendja e perspektivave të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor – shtoi ai.
Megjithatë, Tcherneva ishte më pozitive për samitin.
Për të gjitha kritikat, progresi në marrëdhëniet midis Ballkanit Perëndimor dhe Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mbeti suksesi më i madh i Sofjes gjatë presidencës së saj, tha ajo.
“Askush nuk dëshironte të fliste për rajonin në Europë dhe presidenca bullgare, së bashku me Komisionin, ia dolën mbanë ta shndërronin atë në një temë diskutimi,” vërejti ajo.
“Tani ne e shohim lëvizje në Maqedoni dhe shpresojmë se do të shohim lëvizje edhe për Shqipërinë,” shtoi ajo duke vënë në dukje se të gjitha këto kanë nevojë për një strukturë ku kjo të zhvillohet.
“Mungesa e BE-së për një kohë shumë të gjatë krijoi një trend negativ. Edhe nëse presidenca bullgare kontribuoi pak, është ende domethënëse,” përfundoi Tcherneva.(BIRN).j.j