Universitetet kanë marrë tashmë buxhetin e nevojshëm për aplikimin e përgjysmimit të tarifave dhe ndarjen e bursave për studentët që plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e skemës mbështetëse të miratuar më herët nga Qeveria.
Deklarata është bërë gjatë ditës së djeshme nga vetë ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.
Në një dalje publike për mediat, ministrja Shahini ka sqaruar kushtet se si do të veprohet për ndarjen e bursave për studentët e ekselencës, teksa ka konfirmuar se studentët që deri më tani kanë paguar tarifën e plotë do të përfitojnë rimbursimin e saj, sipas kategorisë në të cilën bëjnë pjesë.
Afatet për plotësimin e dokumenteve
Për ata studentë, të cilët janë përfitues të bursave por që ende nuk kanë përfunduar dokumentet e aplikimit, do të kenë më shumë kohë në dispozicion se afati i mëparshëm që ishte vendosur 31 janari. “Në lidhje me bursat dhe përgjysmimin e tarifave, konfirmojmë se qeveria e ka ndarë buxhetin dhe e ka vënë në dispozicion të institucioneve të arsimit të lartë.
Nga informacioni i marrë nga universitetet, studentët të cilët kanë paguar tarifën e plotë janë në proces rimbursimi. Gjithashtu, do të shtyhet afati për pranimin e dokumentacionit të nevojshëm për bursat, në mënyrë që t’u lihet afat studentëve që u përkasin kategorive të ndryshme në nevojë të plotësojnë dokumentacionin e duhur”, ka deklaruar ministrja Shahini.
Llogaritja e mesatares për bursat
Lidhur me kriteret e përfitimit të bursave dhe reduktimit të tarifave, ministrja Shahini ka konfirmuar se sa i takon paqartësive të hasura shpesh mes studentëve për notën mesatare 9-10 do të merret parasysh mesatarja e vitit paraprak, për ata studentë që kanë shlyer të gjitha detyrimet. Ndërsa për studentët e viteve të para do të merret parasysh mesatarja e shkollës së mesme dhe e provimeve të Maturës Shtetërore.
Gjithashtu ministrja ka shtuar se për kategoritë e veçanta, si studentët në nevojë ekonomike, studentët me nevoja të veçanta etj, deri vjet bursa është dhënë nga bashkia ndërsa sivjet nga janari është bursë që jepet nga qeveria. Për të siguruar këtë bursë studentët duhet të paraqesin vërtetimin përkatës.
Studenti duhet marrë një vërtetim që dëshmon se i përket një prej kategorive përfituese dhe ta paraqesë këtë në sekretarinë e universitetit për të përfituar reduktimin e tarifës së shkollimit.
Pas aplikimit janë bordet e universiteteve që më pas miratojnë listat përfundimtare të studentëve që përfitojnë dhe në bazë të këtyre miratimeve mund të vihet në funksion buxheti që u është vënë në dispozicion universiteteve.
Gjithashtu, ministrja u bëri apel sekretarive të universiteteve të cilat kanë qenë të bllokuar për shkak të protestës që të vijojnë punën, ndërsa u kërkoi universiteteve të zëvendësojnë orët e humbura për studentët.
“Duke qenë se në të gjitha universitetet ku nuk është zhvilluar mësim ka qenë e vështirë të sigurohet ‘listëprezenca’ e studentëve dhe të dihet saktë kush është student në këtë semestër dhe kush jo, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë u bën apel të gjithë universiteteve që të zëvendësojnë orët e humbura sa më parë, që sekretaritë të kenë informacion sa më të detajuar për studentët përfitues”, ka përfunduar ministrja Shahini.