Parku Kombëtar i Butrintit me rrënoja mahnitëse greke, romake, osmane, i ndodhur në pjesën jugperëndimore të vendit, mbetet një nga destinacionet që vizitohet çdo vit nga turistë vendas dhe të huaj, adhurues të historisë së lashtë.
Qytetin Antik të Butrintit, mirëpriti një grup prej 30 vizitorësh të nivelit të lartë, anëtarë të Urdhrit Britanik të Saint Michael dhe Saint George. Ky urdhër përfshinte nivele të larta diplomatësh, ish-krerë shtetesh, ish-kryeministra, ekspertë e profesorë të fushës së arkeologjisë dhe muzeologjisë.
Ky grup i veçantë turistësh u shoqërua nga specialistët e këtij parku duke i treguar historinë dhe vlerat që ky vend ka. Ata kishin një itinerar interesant turistik mes rrënojave të qytetërimeve të lashta si dhe shijuan peizazhin fantastik që ky vend të ofron në këtë stinë.
Parku Kombëtar i Butrintit ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.
Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet, që nga tempujt helenikë të shek. IV para Krishtit, deri në kalatë osmane të fillimit të shek. XIX.