Një pjesë tjetër e investimit më rëndësi të madhe kanë qenë projektet e financuara në fushën e medias. Interesant është fakti, se një pjesë e medias që sot e sulmojnë filantropin Soros, në fillimet e demokracisë kanë përfituar fonde të mëdha. E tillë është gazeta Rilindja Demokratike.
“Një detaj që pak veta e dinë. Në vitin 1991, para se fondacioni të hynte zyrtarisht në Shqipëri ka sjellë rreth 140 ton letër për printimin e gazetave të opozitës si p.sh Rilindja Demokratike. Gazeta që kishin probleme me printimin dhe shtypjen e tyre duke pas parasysh edhe kohën kur ata ndodheshin”, tha Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i ‘Soros’.
Një ngjarje interesante ka ndodhur në fillim të viteve 90 kur Xhorxh Soros shpëtoi gazetën “Koha Jonë” nga falimentimi. “Koha Jone”, si media opozitare, sulmohej shume nga presidenti i atëhershëm, Sali Berisha. Njerëzit e tij i kishin vendosur kësaj gazete, një gjobë prej gati 170 mijë dollarësh.
Kjo shumë parash i’u dhurua gazetës nga Xhorxh Soros duke e shpëtuar kështu nga falimenti.
Kjo mund të duket një gjë e vogël sot, por për vitin 1991, ishte një kontribut i madh për fjalën e lirë. Një investim i madh që Soros bëri në fushën e medias ishte trajnimi i gazetarëve jashtë vendit dhe financimi për ngritjen e Institutit Shqiptar të Medias.
“U hap qendra e parë e midias në Shqipëri. Që mundësonte trajnimin frekuent të gazetarëve. Dhe 95% e gazetarëve që i shohim sot në treg janë trajnuar në qendrën e medias të hapur nga fondacioni Soros”, tha Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv, Soros
“Investimet që bëri për ngritjen e shoqërisë civile. Ne kemi pasur shumë pak kuptim edhe teorik edhe praktik. Investimet që bëri për studime jashtë vendit”, tha Përparim Kabo, akademik./ Tch