Vetëm pak ditë më parë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u votua për të qenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, me një mandat 4-vjeçar, teksa mori mbështetjen e plot 36 vendeve anëtare të organizmit drejtues të futbollit Europian. Duka bëhet kështu shqiptari i parë që zgjidhet në një organizëm kaq të lartë të futbollit, ndërsa sonte ishte në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol”, ku bashkë me gazetarët dhe analistët në panel, diskutoi mbi këtë garë të fituar. Sa i kënaqur jeni që fituan një garë të rëndësishme, për t’u bërë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s? Nuk mund ta fsheh që jam shumë i kënaqur me arritjen, pasi hyra në garë si përfaqësues i Shqipërisë dhe arrita të marr mbështetjen e shumë vendeve të Europës. Nuk është aspak e lehtë të bindësh 36 prej vendeve, të të votojnë, pasi vlerësimi im bëhej nëpërmjet punës së bërë në futbollin shqiptar. Çdo garë është e vështirë, por gjërat rëndohen edhe më shumë, kur përfaqëson një vend të vogël si Shqipëria.

Sa shanse ka Shqipëria që të përfitojë më shumë projekte nga qeveria europiane e futbollit? Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s nuk lejohen të marrin pjesën më të madhe të tortës, por të gjithë bashkë punojnë për të çuar sa më lart futbollin në të gjithë vendet dhe natyrisht edhe në Shqipëri, ku kemi shumë nevojë për mbështetje. Mendoni se ka pasur edhe një lobim të rajonit, për t’ia dalë në këtë garë? Patjetër që fillimisht do të kërkosh votat e vendeve që ke pranë, para se të shikosh në shtete të tjera anëtare. Shtetet e rajonit më kanë mbështetur, por ka pasur një aspekt negativ, sepse kishte shumë kandidatë nga Ballkani, gjë që nuk u pa me sy shumë të mirë nga UEFA. Fadil Vokrri ka qenë i pari që më dha shtysën për të kandiduar edhe dy vite më parë, por edhe në vijim më ka mbështetur shumë, ndaj do doja ta kisha ndarë me të këtë sukses. Edhe Federata e Maqedonisë së Veriut, që gjithashtu drejtohet nga një shqiptar, na dha një mbështetje të madhe.

Zakonisht në Shqipëri kanë ardhur për të marrë vota dhe ky është ndoshta rasti i parë kur Shqipëria del dhe lobon për të kërkuar mbështetje… Është e drejtë, pasi nuk ndodh shpesh që Shqipëria të lobojë në Europë për të kërkuar mbështetje për kandidatë të vetët, por këtë herë nuk ishte vetëm çështje lobimi. Kjo pasi vlerësohej shumë edhe mënyra se si ishte punuar ndër vite me Federatën e Futbollit, të cilën unë e drejtoj. Mendoj se ata vlerësuan seriozitetin tim në këtë aspekt, por edhe ndryshimet pozitive dhe hapat përpara që ka bërë futbolli shqiptar në vitet e fundit.

Jeni Duka i FSHF-së, apo Duka i UEFA-s? Patjetër që flas si president i Federatës Shqiptare të Futbollit, që gjithsesi është anëtare e UEFA-s. Çfarë duhet bërë më mirë në zhvillimin e futbollit në Shqipëri? Kemi bërë disa hapa përpara, por kemi ende shumë sfida, për të çuar përpara futbollin shqiptar. Duhet të punojmë shumë dhe të lëvizim akoma më mirë në vijim. Thuhet se UEFA ka rritur buxhetet për federatat e vogla… Është e vërtetë që UEFA ka dhënë prioritet ndaj federatave të vogla, për t’i ndihmuar ato të ecin përpara, por prezenca ime në Komitetin Ekzekutiv, nuk përkthehet si një mundësi për të përfituar më shumë.

Si do të përkthehet kjo arritje e juaja, në futbollin shqiptar? A keni ambicie për të garuar për ndonjë post tjetër brenda UEFA-s? Për momentin mendoj se është mjaftueshëm deri këtu ku kam arritur, por siç thuhet rëndom në botë, kurrë mos thuaj kurrë. Nuk di të them se sa do të ndikojë në futbollin shqiptar zgjedhja ime atje, por unë mendoj se është e rëndësishme për të përmirësuar imazhin e saj në Europë, por edhe për të pasur zërin e saj në një organ vendimmarrës, duke thënë “Jam edhe unë këtu”. Unë do të mundohem të bëj më të mirën, duke u bazuar edhe në eksperiencën që kam krijuar ndër vite, për të ndihmuar futbollin në Europë dhe mbi të gjitha në Shqipëri.

Tani do të jeni në podium. Si do t’i shikoni njerëzit nga lart? Në fakt nuk i kam parë ndonjëherë njerëzit nga lart apo nga poshtë, por drejtpërdrejtë, në sy (qesh). Në UEFA diskutohet për ndryshimin e formatit të Champions dhe Europa Leagues. A mund të bëjmë ndryshime edhe në aktivitetet që ne organizojmë? Sa i përket kampionatit, unë mendoj se kemi gjetur një skemë optimale, që garanton më shumë garë, më shumë rivalitet, më shumë cilësi, më shumë të ardhura, etj., ndaj nuk mendoj se ka nevojë të ndryshojmë. Sa i përket Kupës, ka vend për përmirësime, pasi është ky kompeticion, që ngjall më shumë dyshime për fiksime rezultatesh.

Në Komitet u votua një raport edhe për ndeshjet e fiksuara, gjë që në Shqipëri u përkthye si votë e juaja kundër Skënderbeut… Ai ishte një raport vjetor i Komitetit, si çdo institucion, pasi nuk merret as UEFA dhe as Komiteti Ekzekutiv, me një rast specifik, si ky i Skënderbeut. Cilat janë kompetencat e Komitetit Ekzekutiv? A mund të kemi shanse të presim një ndeshje të madhe në Shqipëri? Është një komitet që vendos për formatin, rregulloren vendin dhe shumë detaje të tjera të të gjithë kompeticioneve të organizuar nga UEFA. Duke qenë pjesë e atij komiteti, ke mundësi të flasësh me kolegët, për t’u shpjeguar më mirë aplikimin dhe për t’i bindur që të të mbështesin. Pra, duke qenë nën mollë, ndonjë kokërr edhe mund të bjerë.

Cilat janë kompeticionet ku keni aplikuar? Kemi aplikuar për Superkupën e Evropës, por edhe për finalet e Kampionatit Europian U19. Jemi në prag të eliminatoreve… Çfarë kombëtareje do të shohim në sfidën me Turqinë? Unë kam përshtypjen që futbollistët shqiptarë sot, janë në një formë sportive shumë më të mirë sesa disa muaj më parë. Kanë rikuperuar dëmtimet dhe shumë prej tyre po luajnë rregullisht, gjë që i ka sjellë një formë më të mirë fizike. Berisha dhe Gjimshiti luajtën sot përballë Milanit dhe kanë qenë titullarë në pjesën dërrmuese të ndeshjeve, por edhe lojtarë të tjerë janë konsoliduar në klubet përkatëse.

Cilat janë objektivat e Shqipërisë? Objektivi ynë është që të shkojmë në Kampionatin Europian dhe këtë do ta synojmë, por se sa do t’ia dalim, mbetet për t’u parë. Ne nuk jemi ekip më i mirë se Franca, por edhe Turqia ka një skuadër mjaft të mirë, ndaj ne na mbetet vetëm të synojmë arritjen e objektivit. A do të ketë ndonjë emër të ri në listën e Panuccit? Trajneri po ndjek me vëmendje disa futbollistë të rinj, që kanë qenë pjesë e Kombëtares U21 dhe madje edhe U19. Mund të them se po ndjekim me vëmendje një sulmues që luan në Greqi dhe po shënon shumë gola, por edhe një mbrojtës të U19-ës, që është pjesë e Veronës, Kumbullën.