Nga Prof.As.Dr. Artan Xh. Duka
Kot thonë se u bë kohë pa shfaqje tek Teatri Kombëtar. Ndodh këto ditë, bile ‘live’. Afërmëndsh askush nuk dëshiron të shohë në skenë ndonjë ‘tragjedi’ sikurse askush nuk dëshiron që Teatri Kombëtar të degradojë në ‘estradë’ por, duan apo nuk duan ata që protestojnë për ruajtjen e godinës së teatrit, kauza e tyre u ‘ndot’ politikisht duke vënë në pikpyetje dhe vetë integritetin e bartësve të saj. Iu kundërvunë haptazi një takëmi politik duke i bërë temena një tjetri. Bënë dhe një marrëveshje që më shumë se përgjigje gjërave, ngre më tej hamëndje pafund.
Dhe mbi të gjitha, po sillen sikur e kanë mallin e plakut dhe teatri po katandiset han pa porta. Po hyjnë e po dalin, po ftojnë këtë apo atë partiak sipas qejfit në një institucion që fundja mbetet shtetëror, ka rregulla dhe dyer dhe nuk ka pse katandiset në shëtitore, ‘klub’ nate apo më keq oborr i PD. Teatri mbrohet me protesta dhe veprime ligjore nga jashtë dhe jo duke e uzurpuar atë, qoftë dhe nga ata që marrin rroga atje. Është godinë shtetërore dhe ligji duhet të garantojë rregullin e hyrje-daljet brënda tij dhe dyert nuk duhet të rrinë kanat.
Marrëveshje ‘nastradinësh’
Praktikisht u firmos së fundi me bujë një marrëveshje mes palësh që ose nuk përfaqësojnë shumica të provuara ose nuk kanë gjë në dorë. Artistë të nderuar por që i japin të drejtën vetes të flasin për mbarë komunitetin e artistëve dhe një takëm politikanësh ‘gjeometra’ rrugësh që janë provuar dhe stërprovuar më parë në pushtet dhe ose nuk u tha kush puna mbarë, ose i bënë punët çorap dhe kusuret i vuajmë ende të gjithë.
Do të ishte në nderin e integritetin e kësaj proteste që politikanët të mbaheshin larg prej saj. Politika të bëjë të vetën brënda ‘sinoreve’ të saj, rrugë apo institucione qofshin, për këtë çështje apo të tjera të rëndësishme sipas saj por pa u lejuar të bëhet dekor, pale protagonist i një kauze qytetare si kjo e teatrit. Të paktën të merrnin shëmbëllin e studentëve që protestuan vetëm pak muaj më parë.
Por nëse shpresa e artistëve në fjalë për të ruajtur godinën është PD në pushtet, atëhere vaj medet sepse premtimi PD është premtim si ai i Nastradin efendiut që u zotua kundrejt një shpërblimi se do të bënte gomarin të lexojë për pesë vjet dhe kur e pyetën pse e mori këtë përsipër para mbretit me rrezikun e kokës iu përgjigj se deri atëhere në mos gomari, mbreti apo ai vetë … ku i dihet.
Sepse, nëse PD do vijojë të bërtasë se nuk futet në zgjedhje sa kohë të jetë Rama kryeministër, atëhere i bie që artistët do të presin gjatë, shumë gjatë, në mos pafundësisht, në mos me këtë zotim PD po fillon e pranon se do futet në zgjedhje edhe me Ramën në qeveri. Vetë PS nuk ka pse ndërron drejtuesin e saj se ai nuk i shkon për shtat PD dhe sa kohë kjo nuk ndodh, PD ose nuk do futet fare në zgjedhje ose dhe po u fut, prapë do mbetet në opozitë sa kohë partia nuk çlirohet e distancohet nga barra problematike e protagonistët e PD së tranzicionit zullummadh. Duke futur në lojë politikën, artistët i bënë një bumerang vetes dhe kauzës sepse teatri ka nevojë për gjithshka përveçse politizimit dhe estradës.
‘Hija’ e teatrit duhet të endet edhe tek godina e re
Rruga e shpresa e vetme për të ruajtur godinën apo pjesë ikonike të saj mbetet protesta qytetare, sensibilizimi publik dhe ai demokratik brënda dhe jashtë vëndit, ankimimi në gjykatë brënda e jashtë vëndit dhe apeli për referendum. Rrugë të tjera të dobishme nuk ka dhe gjithshka tjetër është iluzion.
Pavarësisht motiveve dhe komenteve për tejkalim mase dhe cënimit të paanësisë së zyrës së tij, të paktën ankimimi presidencial në Kushtetuese është e vetmja gjë racionale në këtë zallamahi opozitare dhe artistët duhet të përshëndesnim e t’i bënin publicitet më fort këtij veprimi sesa nënshkrimit të një marrëveshje butafori që ngop me lugë bosh.
Teatri nuk është as pasuri dhe as monopol i artistëve në fjalë. Nuk është ‘shtëpia’ e tyre por e të gjithëve, nuk është han pa porta ku futesh dhe nga dritarja por institucion me rregulla qoftë dhe për hyrje-dalje. Komuniteti i artistëve ka të drejtën morale të thotë fjalën e tij por dhe shoqëria ka të drejtën e saj dhe ajo e ka thënë fjalën e saj me votë kur votoi atë formacion politik që shpalosi në program ndërtimin e teatrit të ri. Na pëlqen, nuk na pëlqen, demokracia funksionon me votë.
E ndërsa askush nuk dëshiron të paragjykojë sinqeritetin e kauzës së artistëve në fjalë, ky impenjim me ‘bateri’ politike sot nuk mund të mos ngrejë hamëndje për integritetin e konsekuencën e mjaft syresh që ishin bashkëkohës të nëpërkëmbjes së plot vlerave apo simbolikave domethënëse të së kaluarës në favor të ndërtimeve klienteliste këto 30 vjet.
Nga ato vepra e thesare artistike si Kinostudio, teatrot, bibliotekat, kinematë, muzetë etj dhe deri denatyrimin e habitatit urban nga shkatërrimi parqeve, oborreve urbane, mjediseve shëndetësore, terreneve shkollore etj që nuk zhbënë vetëm mjedisin por dhe mentalitetin qytetar.
‘Getozimi’ i qyteteve, ‘hongkong’-izimi i qëndrave e tashmë periferive, ‘epidemia’ e kioskave etj pamje syvrasëse kanë qënë dhe enden mbeten realitet dhe e vetmja gjë që ndryshon nga rasti sot me teatrin është se kanë qënë të tjerë në pushtet…
E sa për nostalgji dhe të drejtë, të parët ndoshta që duan që të mos prishet ai teatër janë ata që ishin pjesë e historisë së tij qysh gjatë monizmit, sikurse dhe qytetari i thjeshtë që beson se në monizëm kishte më shumë vlera njerëzore dhe respekt në shoqëri. Mbi të gjitha teatri mbetet nostalgji e ikonë monizmi dhe zhbërjen më shumë do ta ‘vuajnë’ ata që këto 30 vjet u ballafaquan me plot zhbërje të vlerave të kohës së shkuar sesa artistë që vërtet mund të kenë vite që aktrojnë atje por që ishin ose të pa gojë ose kurrsesi kaq aktivë si tani ndaj shkatërrimit të vlerave kur në pushtet ishte po ai takëm politik që sot e ftojnë dhe u del krah. Një pendesë që do u jepte dinjitet.
Vetë restaurimi nuk zgjidh problemet e perspektivës. Nëse mbart emrin Teatri Kombëtar duhet të kesh edhe dimensionet dhe mundësitë që të ofrosh dhe akomodosh gjithshka dhe sipas specialistëve, godina e sotme ka sfida plot. E thënë kjo, duhet bërë e pamundura për të konservur dhe inkorporuar sa më shumë që të jetë e mundur pjesë të godinës ekzistuese duke filluar me fasadat ikonë të saj – për paralelizëm edhe me stadiumin e futbollit ‘Qemal Stafa’ për emrin dhe ruajtjen e fasadës me gurë të bardhë të tij. Deri duke lënë të inkorporuar dhe një pjesë të godinës të paprekur si muze për brezat që do vijnë.
Thjesht se u bënë gabime në të shkuarën, thjesht se syresh ishin gojëkyçyr deri dje etj, kjo nuk do të thotë se nuk duhen bërë përpjekje për të shmangur ndonjë gabim të ri. Një reflektim ky jo thjesht prej presionit të një marrëveshjeje ‘fantazëm’ që nuk nuk ka peshë apo intimidon kënd në politikë por prej sensit qytetar. Në emër të rilindjes urbane janë restauruar godina po aq të vjetra dhe ndoshta më të mjerueshme se kjo e teatrit. Ndaj dhe për teatrin, e shkuara nuk ka pse të mbetet vetëm në celuloid. Le të jetë dhe e prekshme.