Lionel Messi fitoi të gjashtin “Top të Artë” në karrierë, një rekord unik dhe historik. Një sukses i jashtëzakonshëm, duke marrë parasysh edhe rivalëtnë këtë edicionit të çmimit prestigjioz individual. Virgil van Dijk, qendërmbrojtësi i Liverpool, përfundoi i dyti. I treti Cristiano Ronaldo dhe, jashtë podiumit, Sadio Mané. Është pikërisht senegalezi i “Reds”, ai që ia ka plasur zemrën Samuel Eto’o, një legjendë e futbollit afrikan e më gjerë.

Fakti që ai mbeti jashtë podiumit të “Topit të Artë”, e ka bërë ish-sulmuesin e njohur të hedhë disa akuza të rënda. Sipas tij, nëse të gjithë votuesit afrikanë do të ishin bashkuar, Mané mund të kishte triumfuar: “Nëse Mané do të kishte fituar, askush nuk mund të ankohej, sepse ai e meritonte atë çmim, – tha Eto, siç raportohet nga “Goal.com”. – Messi e fitoi “Topin e Artë” këtë vit, sepse e gjithë Amerika e Jugut votoi për të. Unë mendoj se europianët, gjithashtu, votuan unison për Van Dijk, dhe kjo është arsyeja pse ai zuri vendin e dytë.

Afrikanët, nga ana tjetër, nuk votuan për Mané. Ky është një problem i madh. Afrikanët kanë probleme me afrikanët e tjerë. I dhamë njëri-tjetrit një zhgënjim. Ne duhet të bashkohemi, nëse duam të ndërpresim sundimin e europianëve dhe amerikano-jugorëve për “Topin e Artë”.