Nga Fernada Cenko/

Në Tuz të Malit të Zi, koalicioni i partive shqiptare ka shënuar një fitore duke marrë plot 16 vende nga 32 në këshillin komunal. Nik Gjeloshaj është kryetari i ri i komunës Tuz.

Lidhur me zgjedhjet Luigj Gjokaj, sekretari i Shoqatës atdhetare Malësia e Madhe, dhe ish kryetari i Fondit të luftës së UÇK, që sot është Epopeja e UÇK- së në Kosovë tha se kjo nga ana e shqiptarëve ishte një fitore e madhe dhe historike.

Ai shprehet se pa angazhimin e Diasporës e gjitha kjo nuk do të ishte arritur, ndërsa theksoi se pas kësaj fitoreje, bashkëpunimi mes palëve duhet të jetë më i fortë se kurrë në mënyrë që të ketë zhvillim, investim dhe ndryshim, pasi kjo do të ndikonte pozitivisht në zgjedhjet e ardhshme.

Gjokaj gjithashtu komentoi edhe Samitin e Diasporës të mbajtur në Tiranë, ku tha se ishte i shumëpritur, por tepër i vonuar.

Ngjarjet aktuale në Shqipëri dhe Kosovë për Gjokajn janë shqetësuese, pasi palët politike kur flasin për ndërkombëtarët e paraqesin vendin e tyre si dy botë të ndryshme, njëra e nxin, ndërsa tjetra jep pozitivet.

Zoti Gjokaj, fitorja nga shqiptarët e komunës Tuz, ishte një fitore që pritej prej vitesh. Sa e ndryshonkjo pozicionin e shqiptarëve në Mal të Zi?

Fitorja nga ana e shqiptarëve autokton Malësor ishte një fitore e madhe dhe historike, një fitore e pritur që nga viti 1957..kur ishe pushteti Jugosllav i atëhershëm, ua kishte hequr shqiptarëve komunën, por edhe nga ardhja e pluralizmit politik në vitet 90-ta përfaqësuesit e partive politike atje, si Deputetët Gjergj Gjokaj, Mehmet Bardhi, Lek Lulgjuraj dhe të gjithë tjerët që ishin deputet të mëvonshëm vazhdimisht kanë kërkuar në parlamentin Malazez që të kishin komunën e Malësisë me qendër Tuzin.

Por ato kërkesa gjithmonë shkonin në veshin e shurdhër dhe nuk ju jepej asgjë përveç premtimeve të kota. Në vitin 2018 nga presioni ndërkombëtar për Malin e Zi për të hyrë në rrjedhat euro-atlantike, NATO dhe BE u desh të plotësoheshin disa kushte për pakicat autoktone, e në mes të atyre kërkesave edhe duhej kaluar edhe ligjin për vetëqeverisje lokale, dhe ky ligj kaloi më 2018.

Kurse para disa ditëve me 3 mars u mbajtën zgjedhjet e para në komunë, ku shqiptarët e këtyre trojeve fituan shumicën e këshilltarëve komunal 16, dhe me një malësor tjetër të një partie qytetare Shtjefen Camaj po krijojnë shumicën administrative që të udhëheqin në komunën e Tuzit.

Një rol të veçantë kishin edhe shqiptarët e diasporës në këtë fitore..

Po sigurisht, se Diaspora jonë e shqiptarëve(Malsorëve), që vijnë nga ato troje dhe jetojnë në Amerikë, Europë, Australi, Kanada, dhe kudo tjetër ishin tepër të shqetësuar për fatin e këtyre zgjedhjeve, ne nuk u kursyem sidomos Shoqata atdhetare Malësia e Madhe në Michigan, kemi punuar shumë që të arrihet kjo fitore.

Ne çuam mjete financiare për të ndihmuar në fushatën zgjedhore, por shkuan edhe një pjesë e kryesisë së shoqatës për të votuar në Malësi. Problemi më i madh ishte se ne shumica jonë do të ishim atje më 3 Mars në atë ditë historike, por ne nuk kemi dokumentet përkatëse të atij shteti për të votuar, se sikur ne të na lejohej për të votuar pa ato dokumente me mijëra malësorë do të ishim atë ditë në Tuz për të dhënë votën e shenjtë koalicionit shqiptar.

Por mendoj unë dhe shumë të tjerë se pa angazhimin e diasporës kjo fitore nuk do të ishte arritur. Nuk duhet harruar këtu as Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, dhe kryeministrin Edi Rama, po ashtu Presidentin e Kosoves Hashim Thaçin dhe kryeministrin Haradinaj për mesazhet e qarta mbështetëse që dhanë për koalicionin e forumit shqiptar në Tuz.

Pastaj këngëtarë, humoristë, akademikë, shkrimtar të botës shqiptare u prononcuan pozitivisht dhe me një mesazh të qartë për elektoratin shqiptar atje. Të them të vërtetën shqiptarët e atyre trojeve kurrë nuk kishin qenë më të bashkuar se tani. Armiku kishte tentuar përçarje fetare e krahinore ndër shqiptarët atje, por populli njëzëri ju tha atyre, nuk ka Malësi Katolike apo Muslimane, ka vetëm një Malësi Shqiptare, ne jemi vëllezër dhe nuk mund të na ndaj askush, ne përmbi fe e kemi kombin shqiptar, prandaj kjo ishte një fitore historike, një rilindje e re për Malësorët e Malësisë.

E tani duhet punuar më mendje dhe zemër që ta ruajmë këtë vëllazëri dhe bashkëpunim në mes të Malësorëve autokton atje, që të zhvillojmë infrastrukturën, të hapim vende të reja pune, të ruajmë dhe zhvillojmë liqenin e Shkodrës si park nacional, të nderojmë heronjtë tanë, tu ngremë rrugë e përmendore, ta zhvillojmë turizmin dhe bujqësinë dhe blegtorinë, ta ruajmë dhe ringremë muzeun historik në Lekaj dhe shumë shkollave te ju ndërrohet emri. Po ashtu bulevardit në Tuz t’i shtohet përmendorja e heroit më të madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, dhe shumë punë imediate i pret administratën e re të komunës së Plotë në këto 4 vite në vazhdim, dhe nëse punojnë për së mbari, do të fitojnë përsëri, por nëse jo besa atëherë partia në pushtet DPS..malazeze mund të ju nxjerrin shumë shqetësime në votat e ardhshme..

Në Tiranë u mbajt Samiti i dytë i diasporës. Cili është mendimi juaj për këtë Samiti?

Ky është një Samit i shumëpritur nga diaspora, madje është tepër i vonuar, kjo do të ishte dashur të mbahej nga të gjitha qeveritë demokratike, sepse mërgimtarët vuajnë për atdheun, në mërgim jemi robër kalimtar, se paku dy gjenerata dhe sa vjen e shuhemi dhe amerikanizohemi, apo ata që jetojnë në vende të tjera do të asimilohen si ne në Amerikë. Sikur vendlindja jonë të kishte bërë diçka më parë kundër asimilimit, kjo nuk do të ndoshta kaq shpejt, gjeneratat që vijnë vetëm do të thonë se të parët tanë ishin shqiptar dhe asgjë tjetër. Nuk jam dakord me përzgjedhjen që është bërë aty, nuk ka shumë nga ata që janë më të merituarit të shkojnë në samit. Unë se di çfarë kriteresh duhet pasur apo kush i thërret ata, psh në Michigan ju flas ka shumë kalibra intelektualësh, biznesmenësh, dr e profesorë, aktivistë që kanë punuar me dekada për çështjen shqiptare dhe nuk janë të përfshirë në ato lista. Megjithëse s’dua të keqkuptohemi, unë jam për tu organizuar ato, dhe shtetet shqiptare duhet të marrin masa konkrete, e jo vetëm fjalë sa për tu dukur bukur, në parti apo elektorat…ja e bëra unë dhe kurrkush tjetër…ato duhet ti përvishen punës konkrete që mërgata e fuqishme të inkuadrohet thellë në jetën shqiptare.

Çfarë kërkon diaspora nga politika shqiptare?

Diaspora jonë si çdo tjetër në botë kërkon afrimin dhe mbështetjen e shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, ato duhet ti bashkojnë njerëzit e vet kudo jemi në bote. Ne nuk kemi as qendra kulturore si kombet e tjera, ato duhet me të shpejtë ti ndërtojnë shtetet tona të përbashkëta, duhet hapur shkolla shqipe me mësues të mirëfilltë, madje duhet të bëhet regjistrimi i popullatës ku jetojmë. Nuk kemi asnjë statistikë të saktë për numrin tonë sa jemi në emigracion, pra të vendosen urat lidhëse të përditshme me atdheun tonë. Këtu kemi institucione fetare ku bashkohemi por asgjë tjetër, duhet të tejkalojmë këto dhe të bashkohemi si shqiptar nëpër qendrat tona, pa dallime feje , krahine dhe ideje të gjithë për Shqipërinë dhe Shqiptarin.

Si përcillet përtej oqeanit situata aktuale në Shqipëri, protestat dhe konflikti politik?

Çdo gjë që ndodh në Shqipëri dhe trojet tona etnike në Ballkan na shqetëson pa masë, për të arritura dhe suksese gëzohemi dhe festojmë me juve, por edhe për tragjedi, e disfata dhe rrëmuja të ndryshme shqetësohemi shumë. Nuk kalon asnjë ngjarje që ne nuk e përcjellim. Këto ngjarjet e fundit janë trishtuese, hedhja e bojës ndaj kryeministrit, dhuna ne protesta, hedhja apo djegia e mandateve, s’ka kuptim. Është shumë normale të demonstrosh dhe te mos pajtohesh me pushtetin dhe udhëheqësin e shtetit, është detyra e opozitës ta rrëzojnë atë në mënyrë demokratike, por jo me dhunë, jo me sjellje barbare, ato nuk sjellin asgjë të mirë, dhe Europa dhe bota nuk i pranon ato.

Kryetari i Kosovës dhe kryeministri pra Thaçi dhe Ramushi nuk merren vesh fare, njëri flet në Ëashington në një mënyrë, tjetri krejtësisht ndryshe, sikur të flisnin për dy Kosova jo për një. Kështu edhe me Ramën e Bashën në të njëjtën gjë veprojnë kur shkojnë në Europë apo kombe te bashkuara, flasin 100 % të kundërtat, pra flasin si për dy botë të ndryshme.

Në Shqipëri , Kosovë dhe kudo në trevat etnike shqiptare duhet të dalë një frymë e re intelektualësh që do të angazhohen në politikë dhe do ta çojnë kombin përpara. Duhet ti ikin koha asaj që të qëndrojnë nga 20 apo 30 cite duke ndërruar pozita nga kryetarë partie, kryeministër apo kryetar shteti.

Prej vitesh politikanët qëndrojnë në politikë. Pra liderët tanë politikë janë bërë si mbretër, e mbajnë atë pozitë me vite e dekada, prandaj mendoj se kjo klimë duhet ndërruar, duhet të vinë gjenerata të reja njerëzish të pa korruptuar dhe profesionalistë, ata studentë që janë arsimuar nëpër universitetet më në zë botërore, dhe duhet që ta marrin në dorë vendin. Po kur ndodh që politikanët të bëjnë më shumë miliona euro në troje tona, kurse populli është më i vobekti në Europë, jo pra diçka është keq me këtë fotografi. Më shumë ka milionera shqiptarë në Shqipëri e Kosovë se në Amerikë si ndodh kjo, nuk do mend. Në përfundim të kësaj interviste ju uroj popullit tim të dashur shqiptar një vit të lumtur. Kudo të largohen këto dobësi që e kanë sulmuar kombin tonë, dhe të vijnë ditë më të mira dhe të lumtura për kombin tonë të vuajtur me shekuj nga sundimtarë të huaj, e tani qe jemi të lirë nuk po mund të merremi vesh dhe të jetojmë të bashkuar dhe të lumtur.

Fitorja nga ana e shqiptarëve autokton Malësor ishte një fitore e madhe dhe historike, një fitore e pritur që nga viti 1957..kur ishe pushteti Jugosllav i atëhershëm, ua kishte hequr shqiptarëve komunën, por edhe nga ardhja e pluralizmit politik në vitet 90-ta përfaqësuesit e partive politike.(TemA Javore)