Gianluca Esposito, Kreu i Departamentit të Veprimit kundër Krimit dhe Sekretari i Përgjithshëm i GRECO, Këshilli i Europës, do të vizitojë nesër Shqipërinë ku do të marrë pjesë në Konferencën e titulluar “Luftojmë Korrupsionin dhe Krimin Ekonomik” që do të mbahet në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë.

Në Konferencë do të diskutohet bashkëpunimi i vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe organeve monitoruese të Këshillit të Europës, si GRECO dhe MONEYVAL që kanë si qëllim të forcojnë më tej kapacitetet institucionale të Shqipërisë për të ndalur korrupsionin, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, trupit diplomatik, institucioneve publike, akademisë, universiteteve, shoqërisë civile dhe medias, do të jenë të pranishëm në këtë aktivitet ku do të mbajnë fjalën hapëse Gianluca Esposito, Kreu i Departamentit të Veprimit kundër Krimit dhe Sekretari i Përgjithshëm i GRECO, Këshilli i Evropës, Luigi Soreca, Ambasador, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri Christina Vasak, Ambasadore e Francës në Shqipëri, Jutta Gützkoë, Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë.

I organizuar në kuadër të Programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë – Faza II” dhe organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë në bashkëpunim dhe partneritet me Ambasadën e Francës në Shqipëri, Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrën e Kryeministrit, ky takim do të shënojë njëkohësisht 70-Vjetorin e themelimit të Këshillit të Europës.

Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës kanë nënshkruar Intrumentin Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (më poshtë “Instrumenti Horizontal”) më 23 maj 2016.

Instrumenti Horizontal bazohet në prioritetet e politikave të KiE-s dhe të BE-së në kuadrin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë dhe në ekspertizën e KiE-s për përcaktimin e standardeve, monitorimin dhe metodologjitë e bashkëpunimit. Ai synon të përmirësojë zbatimin e rekomandimeve kryesore të organeve përkatëse të monitorimit dhe këshillimit të Këshillit të Evropës në fushat e përcaktuara në Deklaratën e Qëllimit të nënshkruar më 1 prill 2014 nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikat e Fqinjësisë Evropiane.

Përfituesit dhe homologët e Instrumentit Horizontal janë organe qeveritare në të gjitha nivelet, sidomos strukturat e specializuara brenda Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë të Brendshme dhe Ministrisë së Financave; agjencitë/zyrat/komisionet e specializuara të përfshira në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik; shërbimet gjyqësore dhe të prokurorisë, organet mbikëqyrëse; Njësitë e Hetimit Financiar (FIU), dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Ndërhyrjet sektoriale që do të ndërmerren në shtetet anëtare përfituese të EJL-së/IPA II janë projektuar në bazë të rekomandimeve që vijnë nga organet monitoruese, opiniondhënëse dhe këshilluese të Këshillit të Evropës, të caktuara sipas përparësive në përputhje me nevojat në kuadër të negociatave për zgjerim të vendeve me Bashkimin Evropian.

Në fushën e luftës kundër krimit ekonomik, janë hartuar tre veprime specifike në kuadër të Programit të Instrumentit Horizontal për të mbështetur sipas nevojës proceset reformuese në Shqipëri, Mal të Zi dhe në “Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë”. Këto veprime do të synojnë të përmirësojnë zbatimin e rekomandimeve kyçe të Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit të Këshillit të Evropës (GRECO) dhe të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit (MONEYVAL), dhe të forcojnë më tej kapacitetet institucionale në lidhje me kodin e sjelljes së zyrtarëve publikë, mbrojtjen e bilbilfryrësve, financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore dhe masa të tjera për të luftuar dhe për të parandaluar korrupsionin; pastrimin e parave; financimin e terrorizmit në përputhje me standardet evropiane. Veprimet do të zgjasin për 36 muaj.

Qasja e Veprimit në Shqipëri

Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri (AEC-AL) do të synojë të përmirësojë zbatimin e rekomandimeve kyçe dhe të fundit të Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit të Këshillit të Evropës (GRECO) dhe Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit (MONEYVAL), dhe të forcojë më tej kapacitetet institucionale për t’iu kundërvënë dhe për të parandaluar korrupsionin; pastrimin e parave; dhe financimin e terrorizmit në përputhje me standardet europiane.

Veprimi do të përqendrohet tek mbështetja e autoriteteve në disa drejtime, duke përfshirë; Mbështetje për forcimin e legjislacionit dhe kuadreve rregullatore; Ndërtimin e kapaciteteve institucionale; Mbështetje për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar; Objektivat e përgjithshme dhe specifike.

Objektivi i përgjithshëm i veprimit është që të kontribuojë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës përmes parandalimit dhe kontrollit të krimeve ekonomike në Shqipëri, në përputhje me standardet evropiane dhe standardet e tjera ndërkombëtare.
Objektivat specifike të veprimit janë, Rishikimi i legjislacionit për financimin e partive politike dhe kuadrin institucional.