Nga Handanovic tek Icardi, lojtarët më përfaqësues të Interit të dekadës që po i vjen fundi. Kjo është përzgjedhja e top-formacionit zikaltër në dhjetë vitete e fundit, bërë nga “Goal”.
SAMIR HANDANOVIC
Pa dyshim, portieri që e ka përfaqësuar më shumë Interin në dhjetë vitet e fundit. Ai e ka mbrojtur portën zikaltër për më shumë se shtatë sezone, gjithmonë si titullar i padiskutueshëm. Prej rreth një viti, slloveni është kapiten i ekipit, pasi shiriti iu hoq Mauro Icardit. Portieri në fjalë është pikë referimi tek Interi aktual i Antonio Conte.
JAVIER ZANETTI
Edhe pse jo për krejt këtë dekadë, Javier Zanetti me siguri ka qenë një simbol i Interit gjatë dhjetë viteve të fundit. Duke filluar nga fitorja e “tripletës” në maj 2010 e deri në sezonet e ndërlikuara pasuese. Gjithnjë “traktor” në fushë, si protagonist, deri në “pensionimin” e tij në fund të vitit 2014. Aktualisht mban postin e zv.presidentit të klubit zikaltër.
MILAN SKRINIAR
Pas duetit mbrojtës të jashtëzakonshëm, që fitoi “tripletën”, pra Lucio-Samuel, nuk ka asnjë mbrojtës tjetër qendror në dekadën e fundit që i ka bindur tifozët zikaltër si Milan Skriniar. Sllovaku e ka veshur fanellën e Interit prej tri vitesh dhe menjëherë befasoi “San Siro” me sigurinë, forcën fizike dhe vazhdimësinë e performancës. Një pikë kryesore e formacionit të Antonio Conte aktualisht.
JOAO MIRANDA
Sigurisht, pa asnjë faj të tijin, ai e veshi fanellën e Interit në një periudhë të përgjithshme të turbullt, aspak pozitive. Megjithatë, për katër vite Joao Miranda i ka treguar cilësitë e tij të lindura mbrojtëse edhe në Itali. Titullar me të gjithë trajnerët që kanë kaluar në këto vite, vetëm në sezonin e kaluar luajti më pak, pas ardhjes së De Vrij. Profesionalizëm dhe klas ekstrem. Tani luan në Kinë.
DANILO D’AMBROSIO
D’Ambrosio është ndoshta lojtari që është rritur më shumë se çdo tjetër tek Interi, sezon pas sezoni. Me të mbërritur nga Torino në janar 2014, iu deshën disa muaj për ta gjetur pozicionin e tij fillestar, por më pas kurrë nuk e la atë. Një pikë referimi edhe për Antonio Conte, i cili, nëse është e nevojshme, e rreshton atë në mbrojtje, ose në krahun e djathtë të mesfushës.
FREDY GUARIN
Një aventurë, si e gjithë karriera e tij, e karakterizuar nga ulje-ngritje, por Fredy Guarin hyri në zemrat e tifozëve zikaltër për mirë, ose për keq. Nga viti 2012 deri më 2016 ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadër, duke pasur vazhdimësi dhe shënuar gola sidomos me Roberto Mancini. Goli i tij më i rëndësishëm është pa dyshim ai në derbi, kundër Milanit, në shtator 2015. Tani luan te Vasco da Gama.
MARCELO BROZOVIC
Po Marcelo Brozovic? Me të mbërritur tek Interi, katër vite më parë, spikati në aventurën e tij në Milano. Sidomos nën drejtimin e mençur të Luciano Spalletti, i cili e shndërroi kroatin në një “regjisor” të vërtetë të mesfushës. Për dy vite ka qenë një nga lojtarët më të çmuar të Interit, teksa ka gjetur frymëzimin me të në fushë. Thelbësor edhe për Antonio Conte.
ESTEBAN CAMBIASSO
Argjentinasi me siguri nuk ka nevojë për prezantim. Ai veshi fanellën e Interit nga viti 2004 deri më 2014 dhe kjo e bën të qartë rëndësinë e tij në historinë zikaltër. Cambiasso fitoi “tripletën” si protagonist dhe gjithë titujt e Serie A, nga viti 2006 e në vazhdim, deri më 2010. Sa i përket kësaj dekade, si Zanetti, ai gjithmonë ka qenë në fushë, edhe gjatë viteve të rindërtimit pas “tripletës”. Ka mbajtur shiritin e kapitenit në sezonet e fundit në “San Siro”, duke u alternuar me “el Tractor”.
RODRIGO PALACIO
E thënë thjesht, ai ka tërhequr “karrocën” e Interit në vitet e dobëta dhe të suksesit të klubit zikaltër. Nga viti 2012 deri më 2017 u vlerësua nga publiku i “San Siro” për aftësitë golashënuese dhe bujarinë e pamasë me asistet për shokët. Argjentinasi ka shënuar 58 gola në të gjitha garat për Interin. Tani luan ende si protagonist te Bologna.
MAURO ICARDI
Një histori dashurie, ajo midis Icardit dhe Interit, të cilën do të duhej një libër i tërë për ta shpjeguar. Autobiografia e publikuar nga argjentinasi, përveç shumë gjërave të tjera, bëri që Icardi të prishej keq me klubin në sezonin e kaluar dhe të kalonte te PSG gjatë verës. Ai shënoi 124 gola në gjashtë vite me fanellën zikaltër.
DIEGO MILITO
Sezoni më i mirë i karrierës së tij përputhet, jo rastësisht, me suksesin më të rëndësishëm në historinë e Interit, atë të “tripletës”. “Princi” i jep formacionit zikaltër më të mirë të dekadës së fundit. Protagonist absolut në sezonin 2009-2010, ai pati vazhdimësi edhe në vijim. Kështu, në edicionin 2011-2012 shënoi 26 gola. Në pesë vitet e tij me Interin, argjentinasi ka shënuar 75 gola. Tani është drejtori sportiv i Racing.
TË TJERË
Pa dyshim që ka shumë lojtarë të tjerë, që mund të hyjnë në këtë top-formacion, por duhet të bëhen përzgjedhje, duke marrë parasysh parametra të tillë si vitet e kaluara te zikaltrit, “pesha” e secilit në dekadën e fundit, prezencat dhe shumë më tepër. Fjala vjen, Maicon mund të përfshihej nga e djathta e mbrojtjes, edhe pse do të largohej nga Interi më 2012; si dhe heronjtë e tjerë të “tripletës”; nga Sneijder te Samuel, duke kaluar nëpër Eto’o etj. Në periudhën më të fundit, megjithatë, lojtarët me jetë më të gjatë, që kanë pasur një peshë specifike brenda ekipit, janë pa dyshim Ivan Perisic dhe Yuto Nagatomo.