Një shtetas turk, 42 vjeç, është deportuar pasditen e 1 janarit nga policia shqiptare drejt Turqisë.

Shtetasi turk, i identifikuar si Harun Çelik ishte kapur në muajin korrik në Rinas me dokumente false, teksa tentoi të kalonte tranzit me dokumente false drejt Italisë dhe në përfundim të dënimit, mësohet se autoritetet shqiptare e kanë deportuar drejt Turqisë. Sipas të dhënave, 42-vjeçari Çelik është kapur rreth pesë muaj më parë, pasi gjatë kontrollit në Rinas, në pasaportën e tij është gjetur një vizë kanadeze, e cila dyshohej se ishte e falsifikuar. Policia ka vendosur menjëherë arrestimin e tij, ndërsa prokuroria e ka dërguar në gjykatë për mbajtje të dokumenteve false. Sipas të dhënave nga gjykata, Çelik është dënuar me 5 muaj burg dhe pikërisht më 1 janar 2020 ka përfunduar dënimin, të cilin e vuante në burgun 302 në Tiranë.

Menjëherë pas kryerjes së dënimit, autoritetet e burgut kanë kryer veprimet për lirimin e tij, por Drejtoria e Emigracionit, e cila ka selinë e vet në Laprakë, ka marrë në dorëzim turkun, pasi rezultonte se ai kishte hyrë në Shqipëri ilegalisht dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare deportohet në vendin nga ka ardhur në Shqipëri. Burime të larta zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme shpjeguan se pranë Drejtorisë së Emigracionit janë kryer të gjitha procedurat dhe turku 42-vjeçar nuk ka paraqitur asnjë pretendim dhe nuk ka kërkuar azil në Shqipëri. “Në këto kushte, me firmosjen e dokumentit nga ana e tij, autoritetet shqiptare e kanë deportuar menjëherë nëpërmjet Rinasit”, deklaroi burimi i lartë zyrtar.

Forcat e policisë në momentin e deportimit të shtetasit turk