Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbeti me 10 anëtarë pas shkarkimit të Gentian Osmanit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, më 31 korrik.
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmojnë se në fillim të shtatorit do të hapet gara për të plotësuar KLP-në me anëtarin e 11. Largimi nga drejtësia i ish-prokurorit të çështjes “Tahiri” solli vakancë në KLP, organ i cili tashmë ka mbetur me 10 anëtarë.
Kjo vakancë ka çekuilibruar balancat brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi ka në dorë vendimmarrjen më të rëndësishme të renditjes përfundimtare të 4 kandidatëve për Kryeprokuror të vendit.
Nëse zëvendësimi i Genatian Osmanit nuk bëhet, përpara se Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të bëjë renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, atëherë në bazë të ligjit kryetari i KLP-së ka dy vota.
Akoma nuk është bërë e qartë se cila do të jetë lëvizja që do të bëjë qeveria e prokurorëve, do të presë anëtarin e ri, dhe më pas të dërgojë listën me kandidatët për kryeprokuror në Kuvend, apo do të mblidhet në fillim të Shtatorit me vakancën dhe të bëjë renditjen e 4 kandidatëve.
Të drejtë për të kandiduar për anëtarë në KLP e kanë vetëm prokurorët e shkallëve të para, pasi Osmani ishte prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda. Do të jetë asambleja ajo që do të caktojë se kush do të jetë anëtari më i ri i Qeverisë së Prokurorëve.
Më herët KPA shkarkoi një tjetër anëtare të KLP-së Antoneta Sevdarin dhe asambleja e Prokurorëve vendosi që kandidati i vetëm në garë, Vatë Staka të bëhej pjesë e këtij këshilli.
Një tjetër anëtar i KLP, i ankimuar nga Komisioneri Publik, është Besnik Cani, për të cilin ende nuk është caktuar një datë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, se kur do ta zhvillojë për të seancën publike.(ABC News)