Kapiteni i Perusë, Paolo Guerrero është lejuar të marrë pjesë në Botërorin 2018, pasi Gjykata Supreme Zvicerane ka pezulluar përkohësisht vendimin e dalë nga KAS i Lozanës për përjashtimin e tij 14 muaj nga aktivitetet sepse ka rezultuar pozitiv ndaj kokainës.

Guerrero, u dënua me 6 muaj pezullim dhe apeloi në KAS këtë dënim por u ndëshkua me 14 muaj, duke bërë të pamundur pjesëmarrjen e tij në Botëror. Kapitenët e skuadrave kundërshtare të Perusë, FIFPro, por edhe thuajse një komb i tërë iu përgjërua FIFA-s që të anulonte vendimin, por kjo e fundit nuk e bënte dot një gjë të tillë, edhe pse lojtari kishte çuar prova se substanca në fjalë ishte pjesë e një çaji mjekësor dhe nuk kishte konsumuar kokainë.

Atëherë Guerrero iu drejtua Gjykatës Supreme Zvicerane, e vetmja që mund të kthejë vendimet e KAS, duke kërkuar pezullimin e përkohshëm të vendimit, në mënyrë që kjo gjykatë të kishte kohë të shikonte dokumentacionin, meqë çështjet atje gjykohen vetëm nga pikëpamja e procedurës.

Duket se të gjithë ishin dakord që Guerrero të merrte pjesë në Botëror, pasi edhe KAS sot në mëngjes doli me deklaratë se nuk do të kundërshtonte vendimin e Gjykatës Supreme nëse dënimi i sulmuesit do të pezullohej përkohësisht. Kjo gjë ndodhi dhe sot në drekë, u vendos që Guerrero të marrë pjesë në aktivitete sportive derisa Gjykata Supreme të shqyrtojë dokumentacionin.