Pas deklaratës së zvëndësministres serbe të Drejtësisë, Vesna Mikiq se “bombardimet nga NATO për Serbinë ishin një genocid ndaj atij shteti”, kryeministri Haradinaj mori sot vendimin për shkarkimin e saj nga detyra, duke e quajtur deklaratën e saj ‘gjuhë të urrejtjes.’ Dita e djeshme në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi, zv.ministrja serbe e Drejtësisë, Vesna Mikiq publikoi një shkrim se ky ishte një genocid mbi serbët.
“Në ditën e sotme, para 20 vitesh ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar në kuadër të kufijve të saj, është bërë qëllimisht gjenocid i planifikuar nga NATO”, – shkruan ajo në postimin e saj. Një ditë pas deklaratës së zvëndësministres serbe të Drejtësisë, Vesna Mikic se NATO kishte kryer gjenocid ndaj serbëve, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendimin për ta shkarkuar nga detyra zv.ministren Mikic, duke pohuar se këto deklarata nga ajo janë të papranueshme dhe janë gjuhë e urrejtjes.
“Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq.”– shkruan Haradinaj.