Tri ditë pasi SHBA-të përsëritën kërkesën për heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paraqitur disa kushte për heqjen e tarifës në fjalë.
Në një letër të dërguar ambasadorëve të QUINT-it, Haradinaj ka kërkuar që SHBA-ja dhe BE-ja ta organizojnë një konferencë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese mes Kosovës e Serbisë, shkruan sot “Zëri”.
Haradinaj paraprakisht ka kërkuar garanci ndërkombëtare që në këtë konferencë të mos ketë kurrfarë rivendosjeje të kufijve ekzistues të Kosovës, të mos ketë ndarje e as shkëmbim territoresh.
Ndërkohë, Haradinaj duket se nuk ka as dakordësinë e partnerëve në qeverisje në lidhje me taksën.
Pak orë pasi kryeministri u vuri kushte shteteve të QUINT-it dhe BE-së që të arrihet deri te pezullimi i taksës, erdhi reagimi nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ky i fundit kërkoi pezullimin e masës për 120 ditë.