Në Kinë vitet përllogariten sipas sistemit kohor të hënës: Viti i Ri për kinezët nis në datat 21 janar deri në 20 shkurt. Këtë vit, Viti i Ri hënor ka nisur më 9 shkurt, duke hyrë kështu në vitin e Majmunit. (lexoni karakteristikat më poshtë në artikull). Horoskopi kinez, ashtu si ai perëndimor, përbëhet nga 12 shenja, ose ‘shtëpi’. Por në ndryshim prej tij, çdo shenjë ka një kohëzgjatje prej 1 viti, jo prej 1 muaji. Dhe një detaj i vogël, i rëndësishëm: Sipas astrologjisë kineze, kur njerëzit hyjnë në vitin e shenjës së tyre, nënkupton fat të keq! Ndaj, ata kanë një traditë, atë të veshjes së një rrobe të kuqe përgjatë gjithë vitit (çfarëdo qoftë ajo, çorape, shall…) për tu ruajtur nga fati i keq. Këtë veshje duhet t’ua ketë dhuruar një pjesëtar më i madh i familjes.

Por cilat janë karakteristikat e njerëzve të lindur në vitet e majmunit? Sipas astrologjisë kineze, njerëzit e lindur në vitet e Majmunit karakterizohen nga gjallëria, shkathtësia në të menduar, kurreshtja, prirja drejt risive dhe mistrecëria! (Përfytyroni një majmun) Megjithatë, besohet se vitet e majmunit janë ndër më të pafatat e kalendarit kinez. Personaliteti i përgjithshëm që dikton kjo shenjë është i zgjuar, i kapshëm, sidomos në lidhje me karrierën dhe pasurinë. Nga ana tjetër, dashamirësia dhe ndershmëria e Majmunit u dhuron një jetë plot me dashuri që zgjat. Përpos cilësive të lakmueshme të kësaj shenje, ka edhe disa anë të tyret që mund t’u prishin punë: kryesisht natyra e rrëmbyer, e paduruar dhe një prirje për t’i parë të tjerët nga lart-poshtë.

Ja disa gjëra kryesore që duhet të dini për këtë shenjë: Pikat e forta: Jeni të shoqërueshëm, krijues, entuziastë, plot vetëbesim. Pikat e dobëta: Jeni dyshues, dredharakë, egoistë, arrogantë, xhelozë. Numrat me fat: 1, 7, 8. Ngjyrat me fat: e bardha, e arta, bluja. Lulet e fatit: Krizantemat, Aliumi. Drejtimet me fat: Veriu, Veri-perëndimi, perëndimi. Njerëz të suksesshëm të lindur në vitin e Majmunit. Jul Çezari, Leonardo da Vinci, Charles Dickens, Lord Bajroni, Elizabeth Taylor, Diana Ross, Tom Hanks, Christina Aguilera, Halle Berry, Mick Jagger, Giselle Bundchen, Demi Lovato, Miley Cyrus, Nick Jonas, Selena Gomez.