Zv/ ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Artemis Dralo gjatë një takimi për bashkëpunimin rajonal në Greqi, ka folur edhe për ngjarjen në Bularat, ku mbeti i vrarë Kostandinis Kacifas. Dralo është pyetur për ngjarjen në fjalë. Duke theksuar se çështja në fjalë është në dorën e organeve ligjzbatuese, zv/ministrja Punëve të Jashtme, ka shtuar se minoriteti grek në Shqipëri është një vlerë e shtuar. Për Dralon, asgjë nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e dy vendeve fqinje, pasi minoritet janë ura lidhëse mes kombeve. Duke iu referuar perspektivës evropiane të Shqipërisë, Dralo tha se qershori i ardhshëm do të jetë një muaj i rëndësishëm. “Ne kemi prioritetet tona, ne kemi punuar intensivisht për shumë vite, por këto muaj do të jenë shumë kritike. Ne po përpiqemi të bëjmë maksimumin në detyrat që Bashkimi Evropian ka vendosur për fillimin e negociatave për anëtarësim. Kjo nuk do të thotë se ne do të konsiderohemi menjëherë anëtar të Bashkimit Evropian, puna tani fillon dhe mendoj se rezultatet do të fillojnë të shfaqen”, deklaroi ajo.