JUXHIN MUSTAFARAJ/ Gjenerali Sandër LLeshi do të jetë ministri i ri i Brendshëm. Kryeministri Rama ka vendosur të pranojë dorëheqjen e Fatmir Xhafajt dhe t’ia besojë këshilltarit të tij për Mbrojtjen postin e rëndësishëm të ministrit të Brendshëm.

Për kreun e qeverisë, gjenerali Sandër Lleshi do të sjellë energji të reja në krye të Punëve të Brendshme, pasi, sipas tij, traseja në të cilën ai do të punojë është e shtruar. “Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falënderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, shkruan Rama. Ndryshe nga paraardhësit e tij, Tahiri e Xhafaj, gjenerali Sandër Lleshi gjithë karrierën e tij ia ka dedikuar formimit dhe detyrave ushtarake.

Lleshi ka mbajtur detyrën e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm në Forcat e Armatosura me propozim të ish-Presidentit Bamir Topi, por përplasjet me ishministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, sollën edhe kërkesën e këtij të fundit për shkarkim nga detyra në vitin 2013. Pas zgjedhjeve parlamentare dhe fitores së socialistëve, kreu i qeverisë Edi Rama i ofroi ishushtarakut në pension detyrën e këshilltarit për mbrojtjen. Në atë kohë, Rama deklaroi se nuk kishte njohje personale me gjeneralin dhe se emrin e tij e kishte dëgjuar për herë të parë kur shkrimtari i njohur Ismail Kadare ia kishte propozuar për President. “Emrin e Sandër Lleshit e kam dëgjuar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë, munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë.

Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si edhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht. Pas disa komunikimesh, kuptova, besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur”, deklaronte Rama. Gjeneral Lleshi është ministri i katërt i Brendshëm gjatë qeverisjes 5-vjeçare të socialistëve, i ngjashëm në profil vetëm me ish-ministrin teknik të propozuar nga PD, Dritan Demiraj. Në CV-në e gjeneralit Lleshi bien në sy trajnimet e shumta që Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara. Në vitet 2003-2006, Lleshi shërbeu si atashe i Mbrojtjes së Shqipërisë në Gjermani, ndërkohë që më herët kishte mbajtur detyrën e komandantit të akademisë ushtarake “Skënderbej”, ku edhe vetë kishte kryer studimet ushtarake

ÇFARË THA KADARE

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka treguar në një intervistë për gazetën “Panorama”, në vitin 2012, arsyet përse propozoi emrin e Sandër Lleshit për postin e Presidentit. “Zotin Lleshi e kam njohur vite më parë. Më ka bërë përshtypje jo vetëm formimi i tij solid e profesional gjermanik, por edhe kultura e përgjithshme. Pjesëmarrja dinjitoze e tij në një polemikë me karakter historikofilozofik për strategjinë ushtarake shqiptare të mesjetës ka qenë një nga shembujt. Për sa u përket cilësive për President, kam çmuar integritetin moral, paanshmërinë dhe sidomos përkushtimin ndaj detyrës dhe vendit.

kadare

Për Presidentin e një shqipërie serioze dhe të moralshme janë të detyrueshme këto cilësi. Ashtu duket. Nuk ka klishe detyruese për këtë. Shpesh dëgjohen mendime: ‘s’na duhen filozofët për presidentë’, ‘s’na duhen ushtarakët’ etj. Në këtë rast do të bëhej fjalë për një nga shefat më të lartë të ushtrisë së sotme shqiptare, pjesëmarrëse e aleancës atlantike. Dihet se kjo aleancë nuk është vetëm ushtarake. Anëtarësia në të është këmba jonë e sigurt në Europë, pra përkon me aspiratën europiane”, u shpreh Kadare për gjeneral Lleshin.