Leonardo Bonucci do të mungojë për të paktën një muaj për shkak të një dëmtimi që pësoi në kyçin e këmbës në ndeshje e djeshme kundër Lazios.

Mbrojtësi u largua nga fusha në minutën e 41’-të të ndeshjes, por qëndroi deri në fund në stol me shokët e skuadrës. Italiani u pa duke ecur me paterica gjatë largimit nga stadiumi “Olimpico”, ndërsa sot pritet të dalë një prognozë më e qartë e dëmtimit të tij.

Burime pranë klubit kanë zbuluar se Bonucci do jetë jashtë fushe për të paktën muajin e ardhshëm, për këtë do të humbasë të dy ndeshjet e Champions League kundër Atletico Madrid për raundin e 1/8-ve.

Ky dëmtim ka detyruar drejtuesit e bardhezinjëve të mendojnë për një zgjidhje emergjente në mbrojtje. Largimi i Medhi Benatias drejt Katarit u zëvendësua nga afrimi i Martin Caceres, por një pozicion kaq i rëndësishëm nuk mund t’i besohet uruguaianit, për këtë do të kërkojnë një mbrojtës të fortë dhe pa shpenzime të larta ekonomike.