Nga Altin Ketro

Ka një anekdotë që personifikon më së miri paranojën e presidentit Ilir Meta për trazira më 30 qershor 2019, me të cilat justifikoi anulimin e zgjedhjeve vendore. Anekdota bën fjalë për një çif të ri të sapomartuar. “Një ditë gruaja e re shkon në ahur për të mjelë lopën. Për një çast, ngre kokën lart dhe shikon të varur tek trarët nën çati një sëpatë. Sheh gruaja sëpatën e nis e qan. Prit e prit i shoqi të kthehet gruaja, e ajo s’po dukej. Ngrihet e shkon vetë tek ahuri të shohë se ç’ka ngjarë.

Aty gjen të shoqen që qante me dënesë. Ç’ke moj grua që po qan? – e pyet ai gjithë shqetësim. Eh ç’më ka gjetur mua të mjerën, ia kthen ajo. Ne sapo jemi martuar dhe me bekimin e zotit do të bëhemi me djalë. Do na rritet djali e do vijë në ahur. E sheh atë sëpatën aty në tavan? – i drejtohet të shoqit. Ajo sëpatë ka për t’i rënë në kokë djalit tonë e ai do të vdesë. I shoqi tundi kokën për një çast, pa se e shoqja nuk ishte mirë nga trutë, merr atypari një kopaçe dhe i jep asaj një dru të mirë, ku i dhemb e ku i djeg, derisa ajo nisi t’i betohej se nuk do qante më për fiksime të tilla.”

Nga kjo anekdotë nuk dua të them se zoti president duhet rrahur fizikisht për të zënë mend, ama një “rrahje” ligjore kam besim se do t’i bënte mirë atij dhe kujtdo tjetër që shkel kushtetutën. Dihet tashmë që ai, me një dekret absurd, jo vetëm ka anuluar zgjedhjet vendore, por i ka lënë ato edhe pa datë. Si shkak ka gjetur destabilizimin e vendit i cili, demek, rrezikohet nga përplasjet me opozitën jashtëparlamentare po qe se zgjedhjet zhvillohen më 30 qershor.

Mjaftuan thirrjet e papërgjegjshme të Lulzim Bashës se atë ditë do bëjë namin dhe ai merr aktin ekstrem të anulimit të zgjedhjeve. Domethënë, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nuk e mbajti dot presionin. Si një disfatist, nga njëra anë ai deklaron se nuk ka frikë nga asgjë, nga ana tjetër i mbushi poturet nga thirrjet e Lulit. Mjafton që Luli të bëj ham, dhe zoti president ia kris vrapit për në presidencë për të anuluar zgjedhjet.

Ama, shembull të mirë po i jep shoqërisë shqiptare!!! Sepse fakti që tregohet trim kur i thonë se do të shkarkohesh nga detyra (dhe kjo është procedurë kushtetuese), si është e mundur që frikësohet nga thirrjet për destabilizim kur ato përbëjnë vepër penale të dënueshme me ligj?!

Kjo kontradiktë duhet parë dhe shqyrtuar me seriozitet, sepse po ta analizosh hollë hollë, zoti president, vetë Kreu i Shteti, po legjitimon paligjshmërinë. Është njësoj sikur një organizatë kriminale t’i thotë organeve ligjzbatuese (polici, prokurori e gjykatë) që të mos i arrestojnë e dënojnë, përndryshe ata do kryejnë akte terroriste. Po të ecësh me logjikën presidenciale, asgjë nuk ndryshon në këtë rast, sepse argumentet janë njësoj.

Zoti president e di këtë, por nuk i bën përshtypje. Ai lë të kuptohet se është pjesë e skemës destabilizuese. Thjesht punon si kolonë e pestë. Rri në heshtje dhe i tërhequr aty kur duhet më shumë prezenca e tij dhe ndërhyn aty ku s’duhet. Pret me durim sa të nisë fushata elektorale dhe prish rregullat e lojës në mes të garës. Nuk dënon publikisht thirrjet destabilizues duke i treguar Lulzim Bashës se çfarë e pret po shkeli ligjin, por i legjitimon ato si një normalitet që duhen marrë në konsideratë.

Që Partia Demokratike e erës Basha është kthyer në parti huliganizmi, kjo tashmë shihet qartë si drita e diellit. Por nuk ia kemi për borxh që këtij huliganizmi (të izoluar) politik t’i dalë në krahë kreu i shtetit. Jo vetëm kaq, por ta certifikojë atë edhe me dekret presidencial.

Kësisoj i jep krahë PD-së që të avancojë më tej duke krijuar të ashtuquajturat Aleanca Qytetare që do merrkan fatet e vendit në dorë. Aleancë që për turpin e PD-së, si parti historike e spektrit të qendrës së djathtë që solli pluralizmin, janë zgjatim i organizatave të ekstremit të djathtë a të majtë, që krijojnë shtet paralel brenda shtetit.

Njësitet guerile të Lulzim Bashës mund të trembin presidentin që është në brendi të skenarit, po askënd tjetër, përfshi edhe atë pjesë demokratësh që e shohin me qesëndi këtë katandisje anarkiste të partisë së tyre. S’ka intelektual dhe njeri me dy pare’ mend në kokë që të bëhet pjesë e tyre. Sepse të bëhesh palë me formacione kaq karagjoze, vetëm huliganëve me kapsolla në dorë u shkon për shtat.

Me vendimmarrjen e paligjshme të presidentit Meta, tashmë çdo opozitë në të ardhmen e di që mjafton të bëjë ham, për të zbythur sistemit demokratik të zgjedhjeve. Sigurisht, nëse presidentët e ardhshëm do jenë kolona të pesta, si ai që na ka rënë për pjesë sot.

(TemA)