Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqjen nga psoti i kryetarit të Partisë Socialdemokrate në Kosovë. Kryebashkiaku i Prishtinës e motivon këtë vendim me rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet e 6 tetorit. Në një postim në Facebook, Ahmeti shpjegon se PSD do të mbajë zgjedhjet e strukturave dhe drejtuesve të rinj, ndërsa ai vetë nuk do të kandidojë për asnjë prej tyre.

“Sot kam kërkuar nga Kuvendi i PSD mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë duke filluar nga kryetari. Kjo na mundëson që kolektivisht të reflektojmë dhe të marrim përgjegjësi si parti. Ky propozim u aprovua në mënyrë unanime dhe që nga sot PSD do të ketë kryetar të ri dhe Këshill të ri. Pastaj Këshilli do ta votojë kryesinë e re dhe pozitat tjera udhëheqëse në parti. Po ashtu ju njoftoj se unë kam vendosur që të mos kandidoj për asnjë pozitë në parti.

E para si marrje e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor, por arsyeja kryesore është angazhimi kryesor dhe i vetëm i imi në Komunën e Prishtinës. Tash e tutje dhe deri në përfundim të mandatit në Komunën e Prishtinës unë nuk do të marr asnjë angazhim tjetër në asnjë insitucion tjetër duke u fokusuar plotësisht në përmbushjen e premtimeve të dhëna në vitin 2017”, shkruan Ahmeti në postimin e tij.

Shpend Ahmeti hyri në politikë si pjesë ë Lëvizjes Vetëvendosje. Si një nga figurat më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, ai u zgjodh kryetar i Komunës së Prishtinës në vitin 2013, posti më i lartë i fituar nga Lëvizja Vetëvendosje deri në atë moment. Ai u rizgjodh në vitin 2017, ndërsa në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, doli si anëtari i dytë më i votuar nga kjo lëvizje.

Në mars të vitit 2018, Ahmeti njoftoi largimin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje. Dorëheqja e Shpend Ahmetit u pasua nga një krizë në lëvizjen Vetëvendosje, e cila pa t’i iknin një numër i madh anëtarësh përfshirë edhe ish-kryetarin Visar Ymeri. Të larguarit u angazhuan në partinë e re, Partia Socialdemokrate, ndërsa rikthimi i Albin Kurtit në krye të Vetëvendosjes i forcoi pozitat e kësaj të fundit, e cila nga zgjedhjet e tetorit të këtij viti doli forcë e parë politike. Aktualisht, Kurti është në negociata për koalicion me LDK-në e Isa Mustafës, për t’i dhënë Kosovës qeverinë e re.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, PSD e Shpend Ahmetit garoi në koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt. Pas rezultatit të dobët, me një rënie prej 5% nga zgjedhjet e kaluara, Ahmeti tha se tkurrja e mbështetjes së votuesve ka ardhur për shkak të këtij koalicioni.