Dilemat tashmë kanë marrë fund. E ardhmja e Eduart Rrocës do të jetë te Kukësi.
Fantazisti 25-vjeçar i Luftëtarit ka firmosur kontratën që do ta lidhë me verilindorët për 2 sezone e gjysmë dhe ndaj Partizanit këtë fundjavë do të luajë ndeshjen e tij të fundit me fanellën e bluzinjëve.
Kukësi arriti ta bindte Luftëtarin për të lënë të lirë Rrocën me një ofertë prej 50 mijë eurosh, 30 mijë prej të cilave kesh, para që do t’i shërbejnë skuadrës gjirokastrite për të lënë pas krizën financiare që vuri në rrezik vazhdimësinë në këtë sezon.
Për Rrocën interesoheshin edhe skuadra të tjera të Superiores por mesfushori zgjodhi Kukësin pasi verilindorët luftojnë për titull në këtë sezon dhe janë një skuadër që luajnë rregullisht vit pas viti në kompeticionet europiane.
Por Rroca nuk mund të jetë i vetmi lojtar i Luftëtarit që mund ti bashkohet Kukësit në merkaton e janarit pasi blutë shpresojnë të marrin edhe shërbimet e sulmuesit Vasil Shkurtaj për të cilin Luftëtari kërkon 100 mijë euro ndërkohë që Kukësi për momentin nuk ofron më shumë se 60 mijë euro, shkruan Supersport.
Vetëm nga shitjet e lojtarëve brenda vendit, Luftëtari ka përfituar plot 350 mijë euro, pasi 300 mijë euro i ka marrë nga Skënderbeu për dyshen Abazaj-Bregu.