Një përgjim bisede mes Albert Veliut dhe kunatit të tij Fredi Alizoti teksa bisedonin për pazaret e audiopërgjimit, është prova më e fortë e Prokurorisë për hetimet e nisura për rastin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Burimet thonë se në bisedën e përgjuar, Alizoti e pyet në telefon “Babalen” se kur do paguhen. Ndonëse ekspertiza e audio-përgjimit e kryer në laboratorin anglez ende nuk është e qartë se çfarë ka përcaktuar, sërish edhe kjo sipas Prokurorisë tregon se gjithçka ishte një inskenim.

Pasi Gjykata firmosi urdhërarrestet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Albert Veliun dhe kunatin e tij, Fredi Alizotin, Policia ekzekutoi vetëm një nga këto urdhra, duke arrestuar Alizotin.

Ndërsa për “Babalen”, ende nuk është arritur të ekzekutohet vendimi i Gjykatës, për arsye se ai ndodhet në Kosovë. Burime nga Policia thanë se kanë nisur procedurat me Policinë e Kosovës, në mënyrë që të bëhet e mundur kthimi i tij në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim konkret. Sa i përket gazetarit Jetmir Olldashi, Gjykata ka vendosur detyrim paraqitjeje, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

POLICIA

Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se më datë 06.10.2018, nga ana e oficerëve të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u bë ekzekutimi i Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për shtetasit: Fredi Aalizoti, 45 vjeç, banues në Fier (për këtë shtetas është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Kallëzim i rremë i kryer në bashkëpunim”) dhe Jetmir Olldashin, 37 vjeç, banues në Tiranë (për këtë shtetas është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”). “Shtetasin Albert Veliu, 51 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprat penale ‘Kallëzim i rremë i kryer në bashkëpunim’ dhe ‘Kalim i paligjshëm i kufirit’, parashikuar nga nenet 305,25 dhe 279 të Kodit Penal), shërbimet e Policisë nuk e kanë ndaluar ende. Po kryhen procedurat e duhura për ekzekutimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.