Ekskluzive/ Historia e panjohur e konflikteve të qeverisë “kuislinge” të Rexhep Mitrovicës në vitin 1944, me Komandën e Lartë gjermane në Tiranë

Nga Dashnor Kaloçi

Veprimtaria dhe roli i qeverive shqiptare në periudhën e pushtimit gjerman të vendit, në vitet 1939-‘44, prej kohësh kanë ndezur debate të shumta dhe shpesh herë janë bërë objekt sherri në shtyp e median audiovizive, midis historianëve, studjuesëve, publicistëve dhe analistëve të ndryshëm, ku të gjithë përplasen në një pikë: A kanë qenë ata kolaboracionistë, ashtu siç janë etiketuar për gati gjysmë shekulli nga historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, a po jo? Ata historianë apo analistë të ndryshëm që janë idhtarë të forcave politike të majta, apo ndikohen indirekt prej tyre, i qëndrojnë bindjes se të gjitha qeveritë shqiptare nën pushtim kanë qenë kolaboratore me pushtuesin dhe si të tilla duhen trajtuar në histori.

Ndërsa historianët e analistët të pozicionuar apo të njohur si idhtarë të forcave të spektrit të djathtë, i qëndrojnë idesë së tyre, duke mbrojtur tezën se qeveritarët shqiptarë të asaj periudhe nuk mund të quhen kolaboratorë, pasi ata sakrifikuan veten e tyre për të shpëtuar nga ajo çka mund të shpëtohej për Shqipërinë. Lidhur me këtë çështje shumë të diskutuar jo vetëm nga politika e historianët, e cila sic duke do të vazhdojë gjatë, hedhin dritë edhe një sërë dokumentesh të panjohura për publikun e gjerë, të cilat ndodhen në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë. Pjesë e këtij fondi janë edhe këto dokumente që po botojmë në këtë shkrim, ekskluzivisht për gazetën Tema.

Protesta e kryeministrit Mitrovica ndaj gjermanëve

Ndër ato qindra dokumente arkivore pothuaj të panjohura më parë për publikun e gjerë, janë edhe ato që i përkasin veprimtarisë së kabineteve të qeverive shqiptare nën pushtimin gjerman në periudhën e viteve 1943-1944, e kryesisht Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila kishte dhe autoritetin e duhur ligjor për të komunikuar me Komandën e Përgjithshme të forcave të ushtrisë gjermane, që ishin dislokuar asokohe në Shqipëri. Midis këtyre dokumenteve, bie në sy një notë proteste e kryeministrit shqiptar Rexhep Mitrovica, i cili, me anën e një letre që mban datën 30 prill 1944, i drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të qeverisë së tij, duke e urdhëruar atë që të ndërhyjë e të protestojë pranë Konsullatës së Përgjithshme të Gjermanisë në Tiranë, për të bërë të mundur lirimin e shumë shtetasve shqiptarë që ishin arrestuar në atë kohë nga ushtrija gjermane dhe që ishin dërguar prej saj në kampet e internimit në shtete të ndryshme të Europës.

Në atë dokument, të kryeministrit Mitrovica, të cilin po e japim pa asnjë ndryshim gjuhësor, midis të tjerash shkruhet: “Nga informata të ndryshme zyrtare ose private që na kanë mbërritun, marrim vesh se nga ana e Fuqive t’Armatosuna Gjermane, në këto ditët e fundit janë ba sidomos në tokat e lirueme, arrestime funksjonarësh të lartë civil si dhe oficerash të Ushtrisë Shqiptare dhe i kanë nisë për në drejtim të paditun. Një veprim i tillë nga ana e një Ushtrije e cila ka deklarue në çdo rast se ka ardhur këtu si mike dhe për nevojat e luftës që po ban, dhe se ndodhet në një vënd indipendent, na kujton kohnat e kalueme nën regjimin fashist Italian, kur ç’do autoritet dhe prestigji qeveritar ishte asgjesue po për arsye të ndërhymjeve të këtilla. Neve nuk kujtojmë që një gjë e tillë të mendohet nga ana e gjermanëve dhe as që të dëshirohet.

Në rast se ushtria gjermane ose organet e saja informative do të kishin arsye për të marrë disa masa kundrejt personave që ajo i quan të rrezikshëm, persona të cillët do të ishin të rrezikshëm edhe për Shtetin Shqiptar, do t’ ishte ma se e llogjikshme që autoritetet e sipërpër- permenduna për këtë gja, t’i drejtoheshin autoriteteve shqiptare të cillat sigurisht nuk do të rrinin pa marrë masat e rastit. Kështu që puna e dëshirueme kryhej ma së mirit, i arrihej po atij qëllimi dhe nuk i ipte shkak kritikavet që tronditin prestigjin qeveritar dhe shkaktojnë humbjen e besimit ndaj premtimeve të bame nga ana e Gjermanëve.

Tue marrë parasysh sa ma sipër, ju lutemi të keni mirësinë që të protestoni pranë Konsullatës së Përgjithshme Gjermane për veprime kësodore, dhe të kërkoni nji orë e ma parë që me ndihmën e Z. Konsullit të Përgjithshëm, dhe me ndërmjetësinë e këtij, të arrihet nji rregullim të çashtjes, dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare, tue urdhënue gjithashtu edhe kthimi i të gjithë atyne të arrestuemëvet, ndërmjet të cillëve shumica njihet për ndjenjat nacjonaliste të kullueta, të larguem prej Shqipnije për në drejtime të padijtuna. Lutemi çashtjes t’i jepet randësja ma e madhe dhe me urgjencë të na njoftohet përfundimi”.

Zv / ministri Frashëri në Gjermani për lirimin e robërve

Përveç protestës të kryeministrit shqiptar Rexhep Mitrovica pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, e cila në atë kohë drejtohej prej ministrit Bahri Omari, ndaj asaj ministrie duket sa ka pasur edhe letra të tjera proteste nga ministri të tjera të kabinetit Mitrovica, apo dhe familje e individë të ndryshëm, në mënyrë që ajo të ndërhynte pranë autoriteteve të larta të Ushtrisë Gjermane, për të bërë të mundur lirimin e shumë shtetasve shqiptarë që ishin arrestuar nga gjermanët dhe ishin dërguar në kampe të ndryshme internimi jashtë Shqipërisë. Kjo gjë konfirmohet edhe nga disa përgjigjie të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat mbajnë firmën e ministrit Bahri Omari. Kështu, në një letër që mban datën 6 prill 1944, Ministria e Punëve të Jashtme njofton Komandën e Mbrojtjes Kombëtare në Tiranë, ku mes të tjerash i shkruan:

“Në përgjigje të shkresës s’atjeshme, datë 29 mars të këtij viti, rezulton me internimin në Beograd të kapterrit Sabri Demiri. Kemi nderin t’ju njoftojmë se Zoti Vehbi Frashëri, Nën-Ministër i Punëve të Jashtëme, ndodhet me misjon në Gjermani ku do të merret edhe me lirimin e të gjithë shetasve shqiptarë që ndodhen të internuar jashtë Shtetit”. Po kështu, krahas këtij dokumeneti që mban firmën e ministrit të Jashtëm Bahri Omari, disa letra të tjera bëjnë fjalë për kujdesin dhe interesimin e qeverisë shqiptare të asaj kohe në lidhje me shtetasit shqiptarë që ndodheshin të internuar jashtë vendit. Në një nga ato letra të nënshkruara prej Omarit, e cila mban datën 25 prill 1944, midis të tjerash shkruhet: “Zotit Halim Huta Gjakovë.

Qeveria ka dërguar Nënministrin e Punëve të Jashtme në Gjermani për lirimin e gjithë robëreve të luftës dhe për së shpejtoi pritet kthimi i tyne”. Pra, siç shihet edhe nga dokumentet e cituara më sipër, pas protestave të kryeministrit Rexhep Mitrovica për lirimin e shtetasve shqiptarë të arrestuar prej gjermanëve, Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë nuk është mjaftuar vetëm me ankesa pranë Komandës së Përgjithshme Gjermane në Tiranë, por ajo ka bërë të gjitha demarshet, duke dërguar deri në Berlin zv/ministrin e Jashtëm Vehbi Frashëri, i cili do të kontaktonte për atë problem me autoritetet me homologun e tij gjerman pranë Ministrisë së Jshtme në Berlin. Dhe siç shihet edhe nga dokumentet arkivore që kemi në dispozicion, zv/ministri Frashër u ka bërë të ditur eprorëve të tij në Tiranë se lirimi i robërve shqiptarë të luftës është çështje ditësh.

Gjermanët kundër serbëve

Në një dokument tjetër arkivor, që i përket periudhës së pushtimit gjerman të Shqipërisë, flitet edhe për predispozitën që tregonte Komanda e Përgjithshme Gjermane në Tiranë për mbrojtjen e popullsisë shqiptare, që jetonte në tokat e saj në krahinën e Kosovës, nga masakrat që i bëheshin asaj herë pas here prej forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit. Lidhur me këtë, në dokumentin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë drejtuar Kryeministrisë, të firmosur nga ministri Bahri Omari, midis të tjerash thuhet: “Kemi nderin me ju njoftue se në bazë të shkresës së Komandës Gjermane S.S. datë 7.II. 1944, se simbas informatave t’ardhuna në Beograd prej çentralit të elektrikut Cenevo, 10 km në jugë të Novi Pazarit, në tokët shqiptare janë duke u zhvillue luftime të rrepta e se 300 milicë shqiptarë janë rrethue prej gati 500 banditë të Drazhga Mihaloviçit nën komandën e kapitenit Zivko Markoviç”.

Pas kësaj letre, ministri Bahri Omari i ka dërguar një letër tjetër Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, ku midis të tjerash i shkruan: “Mbi masakrimet e shqiptarëve andej kufinit. Në Lidhje me shkresën e saj Ministrije datë 29 mars 1944, kjo Ministri njofton se nuk ka mundun me ba, ku duhe, ndërhymjet e nevojshme të rastit për ndalimin e masakrimeve të tilla. Nëjkohësisht, do t’ishte mirë që ajo Ministri t’u jepte udhëzime Prefekturës së Prishtinës dhe nënprefekturës së Gjilanit, në mënyrë që këto të fundit të përpiqen, me mjetet që disponojnë, për me i ndihmue me çdo mënyrë, si moralisht ashtu dhe materialisht popullsitë shqiptare që gjenden përtej vijës së demarkacionit”.

Interesimi i Kryekonsullit gjerman në Tiranë për mbrojtjen e kufirit shqiptar

“Të mbrohet popullsia shqiptare nga serbo-malazezët”

Në dokumentet arkivore që i përkasin periudhës së pushtimit gjerman të Shqipërisë ndodhen edhe disa letra të tjera të ministrit të Punëve të Jashtme, Bahri Omari, i cili i përgjigjet kryeministrit Rexhep Mitrovica, lidhur me interesimin e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e popullsisë shqiptare në zonën e Kosovës e Malit të Zi, nga masakrat e serbo-malazezëve. Në një nga këto letra të nënshkruara prej ministrit Bahri Omari, midis të tjerash thuhet: “Kemi nderin të sjellim në dijeninë e asaj Kryesie se kjo Ministri nuk ka munguar të bëjë ndërhyrjet e duhura me kohë pranë autoriteteve gjermane, mbi gjendjen e vështirë të zonës së Sanxhakatit. Rishtaz po i shkruajmë edhe një herë Kryekonsullatës Gjermane për rregullimin e fatit të kësaj zone në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e popullsisë shqiptare t’atjeshme.

Ndërkaq, para se të arrihet në vendosjen e administratës shqiptare në atë zonë, gjë që nuk mund të zbatohet veçse në marrëveshje me autoritetet gjermanme, do të ishte e udhës t’u jepen udhëzimet e duhura autoriteteve shqiptare t’i përgatisin popullsit shqiptare të atij sektori për çdo rrezik që mund të vijë nga ana e serbo-malazezëve. Veçse duhet evituar me çdo kusht që të shkaktohet ndonjë incident nga ana e shqiptarëve të atjeshëm, të cilët do të ishte mirë të armatosen vetëm për me i premun hovin kërcënimit eventual serbo-malazez. Nga ana tjetër, kjo Ministri nuk do të mungojë t’i njoftojë me një herë asaj Kryesie përfundimin e përpjekjeve të saja pranë autoriteteve gjermane”.

Përveç kësaj letre, lidhur me këtë problem, ministri Omari ka dërguar edhe një letër tjetër në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, ku midis të tjerash shprehet: “Në përgjegje të shkresës mbi nevojën e parashtruar për formimin e një komisioni që do të ketë për qëllim caktimin e kufirit Shqiptaro-Malazez, ju njoftojmë se me letrën tonë më datë 15 të atij muaji, i jemi sjellë Kryesisë së Këshillit të Ministrave duke kërkuar të vendosë dhe të na japë udhëzimet e rastit mbi landë, mbasi çështja ka një randësi të posaçme dhe ka të bëjë si me Komandën e P. të Mbrojtjes Kombëtare ashtu edhe me atë të Rojës së Kufinit.

Për sa u përket hartave që kërkohen me të sipërmen, Kryekonsullata Gjermane na njofton se ai i ka përcjellë Komandës së P. të Mbrojtjes Kombëtare qysh më datën 20 të muajit kaluem. Shtojmë se nuk kemi munguar t’i drejtohemi Kryekonsullatës Gjermane mbi zgjidhjen e fatit të tri zonave asnjanëse duke i theksuar pikëpamjen Shqiptare, e cila qëndron mbi një të drejtë të pamohueshme në mënyrë që për së shpejti të merren dispozita në përshtatshmëni me interesat tona. Më datën 3 të muajit kaluar i kemi shfaqur Kryekonsullatës Gjermane nevojën e shtrimjes kjoftë edhe provizorisht, të reparteve të Rojës së Kufinit ndër zonat asnjanëse, por ende nuk kemi marrë përgjigjen përkatëse të cilën do të ju a njoftojmë në kohën e duhur”.