Kuvendi i Shqipërisë njoftoi sot, shpalljen e vendit vakant të kreut të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financare (AMF). Afati i aplikimeve është deri me 21 janar 2019. Kjo shpallje vjen në kushtet kur Pajtim Melani në datë 12 mars 2019 i përfundon mandati si Kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.
Në këto kushte, Kuvendit i lind detyrimi ligjor për të bërë plotësimin e vendit, që do të rezultojë vakant pas kësaj date.
Kriteret për kandidaturat janë: -të jetë shtetas shqiptar. -të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në një nga këto fusha: ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve Me përvojë profesionale të paktën 7- vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku: a) financë-kontabilitet; b) administrim i shoqërive tregtare; c) këshillim ligjor i shoqërive tregtare; ç) hartim legjislacioni; d) shkencë e aktuarëve; dh) sigurime shoqërore dhe pensione.
-Me integritet moral dhe profesional -Të paangazhuar në funksione drejtuese partiake.Të pashpallur si të dënuar penalisht, me vendim gjykate të formës së prerë. Pengesa në kandidim: Nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët: a) në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; b) kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi; c) në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.
Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar të AMF-së. Kandidatët bashkë me dokumantacionin që provon përmbushjen e kritereve ligjore dhe mungesën e rrethanave që përbëjnë ndalim për kandidim, duhet të dorëzojnë të plotësuar dhe të nënshkruar edhe: formularin e vetëdeklarimit, sipas përcaktimeve të Ligjit nr.138/2015 “Për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike” si dhe formularët e vetëdeklarimit, sipas parashikimeve të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, miratuar nga “Autoriteti për Informim mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit”.
Dokumentacioni dorëzohet pranë Zyrës së Protokollit të Kuvendit. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është ora 16.00 e datës 21 Janar 2019.Pas këtij orari, të gjitha aplikimet do t’i përcillen Komisioni të Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, i cili në cilësinë e Komisionit përgjegjës dhe duke ju referuar CV-së dhe dokumentacionit shoqërues, brenda afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, merr në shqyrtim përmbushjen e kritereve ligjore dhe meritën e çdo kandidature.