Diplomacia ruse mendon se dialogu Kosovë-Serbika pak mundësi që të gjejë zgjidhje të shpejtë. Ministri Sergej Lavrov qorton ndërmjetësuesit europianë se nuk po ndikojnë sa duhet që t’u jepet fund ndasive. Ai shton se Rusia se do pajtohet me çdo vendim vetëm nëse kënaq edhe Serbinë.

Rusia kritikoi të premten Bashkimin Evropian për mosefikasitet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në intervistën me gazetën serbe “Telegraf”, shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, deklaroi se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, tashmë i pezulluar, ka pak shenja që të vazhdojë në Bruksel pa u zgjidhur më parë problemi i krijimit të qeverisë në Kosovë.

“Aktualisht, nga një këndvështrim, nuk shihen parakushtet për dinamikë të re në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në Kosovë vazhdon të mbizotërojë kaosi paszgjedhor dhe lufta për pushtet. Ndërmjetësimi i BE-së është zhvlerësuar.” I pyetur se cila është pengesa kryesore, Lavrov thotë se BE-ja ende nuk është në gjendje të ndikojë përmes presionit mbi shqiptarët e Kosovës, për të pasur qasje konstruktive në bisedimet me Serbinë.

“Për shembull, nga viti 2013, Prishtina saboton përmbushjen e obligimeve për krijimin e komunave me shumicë serbe. Prej më tepër se një viti nuk e kanë hequr taksën diskriminuese për mallrat serbe të vendosur nga qeveria e Kosovës.” Moska e sheh zgjidhjen e çështjes së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe përkatësisht rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, thekson se Rusia do të pajtohet me çdo vendim që kënaq edhe Serbinë.