Nuk bëhet fjalë për hakmarrje për Totenhemin, ndërsa londinezët do të përballen me ekipin që i mposhti në finalen e Champions-it në Madrid, por bëhet fjalë për t’u rinisur.

Pati disa shenja të mira të martën në Champions me fitoren e thellë ndaj Yllit të Kuq të Beogradit dhe ndoshta “Spërsat” po rigjejnë ngadalë ritmin e tyre që jemi mësuar të shohim nën guidën e Poçetinos këto 5.5 vite. Por përballë do të kenë një makineri të ndërtuar nga Jyrgen Klop, e vila e vuri këmbën për herë të parë në pedalin e frenit vetëm javën e shkuar në “Old Trafford”.

Ndaj Çelsit, Lestërit, Shefilldit, Mançester Junajtid dhe Salcburgut Klop e pranon se “Reds”-at patën fat. Por dikush dikur ka thënë: “Nëse nuk je i mirë, ji me fat”. Dhe këto janë edhe idealet e teknikut gjerman, i cili ka edhe statistikat me vete. Sepse fitorja e Totenhemit 4- 1 në “Wembley” në tetor 2017, është i vetmi sukses i londinezëve në 15 përballjet e fundit në të gjitha kompeticionet (4 barazime, 10 humbje). Kampionët e Europës i kanë fituar të tria përballjet e fundit me ta.

KLOP – “Unë nuk mund të them asgjë në lidhje me situatën e tyre. Si mund ta krahasoj me situatën tonë? Nuk është e mundur që të gjykosh nga jashtë. Gazetarët pyesin gjithnjë për opinionin tënd për klube dhe lojtarë të tjerë, por ti duhet të jesh në një situatë për ta kuptuar atë. Ajo që mund të them është se unë pashë mbrëmjen e së martës një Totenhem që luajti shumë mirë”, tha trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, i cili sot duhet të fitojë për të rikthyer distancën me Mançester Sitin në +6.

Në 9 javë, skuadra e Mersejsajdit ka fituar 8 ndeshje dhe barazuar vetëm 1, por tekniku gjerman është i kujdesshëm dhe thotë se muajt më të vështirë janë akoma përpara. “Ne jemi në një pozicion më të mirë sesa prisnim në fillim të sezonit. Kemi krijuar një bazë të mirë për të punuar. Por periudhën më të vështirë e kemi ende përpara. Nëntori dhe dhjetori janë të çmendur. Duhet të kemi fat në momente të caktuara. Duhet të luftojmë për të dhe këtë bëjmë ne. Nuk ka asnjë garanci. Triumfi në Champions ishte i pabesueshëm. Por sot është vetëm një kujtim, i mrekullueshëm, i shkëlqyer, gjithçka perfekte, por tani iku. I takon historisë. Ishte ndoshta vera më e bukur e jetës sime. Është një pjesë e bukur e jetës, por nuk ka ndryshuar asgjë tjetër”.