Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit të nivelit qendror dhe vendor. Gjatë takimit, drejtuesit e Policisë raportuan për gjendjen e sigurisë dhe të rendit publik në vend.
Në fjalën e tij, Lleshaj u ndal në mënyrë të veçantë tek nevoja e intensifikimit të punës së drejtuesve dhe strukturave të PSH kundër veprimtarisë së rëndë kriminale në vend.
Ministri i Brendshëm kërkoi me forcë rritjen e përpjekjeve parandaluese kundër personave me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë, të cilët përpiqen të shfrytëzojnë këtë periudhë për qëllime kriminale.
Duke kritikuar disa drejtues vendorë për ngjarje kriminale të ndodhura gjatë muajit gusht, Lleshaj përcaktoi detyra të qarta që duhet të ndiqen në periudhën në vijim.
“Presingu” i mirëfilltë ndaj personave me profil kriminal, përfshirë edhe ata që kthehen në vend gjatë pushimeve, mbikëqyrja parandaluese ndaj tyre, kontrollet e mjediseve të frekuentuara prej tyre, e automjeteve dhe e veprimeve u përcaktuan si detyrë e dorës së parë.
Po ashtu, u kërkua shtimi i kontrolleve për armëmbajtjen pa leje në mjedise publike si në qarkullimin rrugor, bare e diskoteka etj.
Ministri kërkoi angazhim të fortë për menaxhimin efektiv të qarkullimit rrugor, në kushtet e rëndimit të tij për shkak të flukseve të mëdha dhe të sjelljes së papërshtatshme të disa qytetarëve.
Për strukturat kundër Krimit Ekonomik u kërkua thellimi i angazhimit në operacionin e përbashkët kundër informalitetit në ekonomi.
Lleshaj vuri theks të veçantë në masat kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, ku evidentoi nevojën për vigjilencë të pandërprerë në këtë fushë.
Të njëjtën vigjilencë kërkoi ai edhe në mbrojtjen nga zjarret në vend në kushtet e thatësirës dhe temperaturave të larta, duke përcaktuar detyra për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit (PSH).
Ministri i Brendshëm e vlerësoi faktin që drejtuesit e PSH dhe strukturat e saj janë në krye të detyrës, edhe në kulmin e sezonit të pushimeve në vend si dhe kërkoi që ky ritëm intensiv pune të vazhdojë me seriozitet edhe në ditët në vijim.