Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka shpërthyer në akuza ndaj maxhorancës dhe ambasadorëve.

Në një postim në “Facebook”, Vasili shkruan se ‘një tufë horrash kanë vjedhur e kapur qeverisjen dhe duan ta shndërrojnë Kushtetutën në leckë këmbësh’, ndërsa ‘diplomatë të çartur’ iu ngrenë gishtin protestuesve dhe ca të tjerë iu bëjnë madje edhe avokatinë.

“Solidariteti diplomatik i gishtit të ambasadorit dhe i kapjes së shtetit si veprim antishtetëror!!

Në Shqipëri një tufë horrash, kanë vjedhur e kapur qeverisjen e vendit dhe duan ta shndërrojnë Kushtetutën në leckë këmbësh për të fshirë këpucët e kriminelëve dhe trafikantëve.

Diplomatë të çartur u ngrenë gishtin protestuesve të cilëve horrat e pushtetit u vjedhin pronën, i arrestojnë dhe i dhunojnë.

Ngrenë gishtin këta diplomatë dhe ca të tjerë guxojnë t’u bëjnë edhe avokatinë atyre.

Këta avoketërit diplomatikë të gishtit bëjnë edhe avokatin e shkeljes së Kushtetutës dhe kapjes së Gjykatës Kushtetuese nga rilindja.

Po a skuqen ndonjëherë këta, edhe të parët edhe të dytët?

A guxon dot ndonjë ambasador shqiptar t’u ngrejë gishtin protestuesve në vendet e tyre?

A guxon ndonjë ambasador shqiptar të diskutoje vendimet e Presidenteve të tyre?

A guxon ndonjë ambasador shqiptar të japë mend e zgjidhje për Kushtetutën e vendeve të tyre?

Përgjigjja është shumë e qartë dhe e thjeshtë: Asnjë ambasador shqiptar as e bën dot, as e ka bërë dot dhe as i lejohet që ta bëjë këtë në asnjë kryeqytet të Europës dhe askund në botë.

Po njësoj dhe pa asnjë gram ndryshim janë edhe diplomatet e huaj këtu në Shqipëri.

S’kanë asgjë më shumë se ambasadorët tanë në vendet e tyre.

Ndaj të bëjnë detyrën e tyre sepse janë këtu për të garantuar interesat e vendeve të tyre, të cilat i kanë të parat dhe të vetmet dhe jo të Shqipërisë.

Ndaj të flasin për ato, që u lejon detyra dhe mandati i tyre dhe të lënë mënjanë solidaritetin e gishtit të ambasadorit dhe të kapjes së shtetit.

Ka mjaft diplomatë burra dhe gra të nderuar, që e kryejnë siç duhet dhe me integritet detyrën e tyre të përfaqësimit.

Por ka edhe disa diplomatë të tjerë, të cilët shqiptarët po i shohin teksa shfaqen si solidarë të gishtit.

Solidariteti diplomatik i gishtit dhe avokatia diplomatike e kapjes se shtetit e ka lënë Shqipërinë jashtë Europës, që na shton kushte vazhdimisht, e ka bërë Shqipërinë të jetë e treta në botë për korrupsion dhe e ka bërë bazë të krimit të organizuar për grupet kriminale në SHBA, Europë, Amerike Latine dhe Lindjen e Mesme siç deklaron Departamenti Amerikan i Shtetit.

Për këto duhet të flasin këta, sepse krimi dhe trafikantët, që ushqen rilindja cenojnë edhe interesin e vendeve të tyre.

Por këta nga zelli i tepruar për të bërë avokatinë e rilindjes “çuditërisht” po harrojnë edhe vendet e tyre!?”- shkruan Vasili.