Lulzim Basha ka njoftuar se nesër do të bllokohen të gjitha rrugët e vendit si formë revolte ndaj qeverisë “Rama”. Pas takimit me lideren e LSI-së Monika Kryemadhi, kryedemokrati nënvizon se nuk do të ulet në tryezë me kryeministrin Edi Rama duke kërkuar largimin e tij. Basha e konsideron PD-në dhe LSI-në si mazhoranca e vërtetë e vendit. “Jemi në një krizë të thellë, politike kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe siç u bë e qartë dhe 24 orët e fundit dhe një krizë totale të integrimit në BE.
Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar kushtetutën, demokracinë, zgjedhjet, themelin e llogaridhënies së qeverisë para qytetarëve që është vota e lirë. Ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni në të gjithë vendin për bllokimin e disa aksve” –deklaroi Basha.
Nërkohë pyetjes nëse do të ulet në një tryezë ku të jetë i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama kreu i PD-së iu përgjigj: Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe të koalicionit tonë politike, koalicionit më të madh të maxhorancës së re numerike, politike dhe morale të vendit.
Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore, detyrat e së cilës, në veçanti sa i përket organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i shpalosim nesër publikisht në orën 11:00 në Tiranë, në praninë e medias, përfaqësuesve më të lartë të koalicionit dhe një numri të madh të ftuarish”. (TemA)