Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko së bashku me zv.ministren e Drejtësisë, Teuta Vodo pritën në një takim ditën e sotme një grup përfaqësuesish nga Suedia, Shpëtim Pirraku, kryetar i partisë Social Demokrate në qytetin e Kopig, Sara Dahlin, drejtoreshë e Organizatës për Edukimin e Punëtorëve në qytetin Vasteras dhe Sandra Zanabria, kryetare e forumit të të rinjve socialdemokrat po në qytetin Vasteras.

Ministri Majko pas një prezantimi të shkurtër të Strategjisë Kombëtare të Diasporës, u njoh me aktivitetin e shqiptarëve në Suedi si dhe përfshirjen e tyre në sfera të ndryshme të shoqërisë suedeze.

Ndërsa zv.ministrja e Drejtësisë, Teuta Vodo tha se “të gjithë jemi të gatshëm të kontribuojmë në forcimin e shoqërisë”.

Shpëtim Pirraku tha se është e rëndësishme që njerëzit të marrin pjesë në politikë, jo për të pasur një post, por për të kryer detyrën si qytetarë. Ndërsa kryetarja e forumit të të rinjve socialdemokrat, Sandra Zanabia vuri theksin te rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë.

“Ne kemi dëshirë të ndajmë me ju, me të rinjtë shqiptar, vlerat dhe njohuritë tona dhe të përpiqemi së bashku të ndryshojmë situatën në të cilën ndodhet rinia shqiptare”, tha ajo.

Ndërsa Sarah Dahlin tha se për të arritur të gjitha këto është e nevojshme një rini e mirë arsimuar dhe organizata që ajo përfaqëson, është e gatshme të ofrojë përvojën e saj për Shqipërinë.